Ribaj dhe Kiri, dy goditjet e fundit të Vllaznisë

Të dy futbollistët kanë firmosur zyrtarisht dje me Vllazninë, sot i bashkohen skuadrës në stërvitje

Kuqeblutë kanë arritur të sigurojnë edhe dy forca të tjera më shumë për sezonin futbollistik 2017-2018. Ato janë Andi Ribaj dhe Fatjon Kiri, që të dy futbollistë që i përkasin vijës së parë të sulmit. Futbollistë këto të njohur në kampionatin shqiptar, i pari me një CV më të pasur, jo vetëm me ekipet shqiptare por edhe jashtë vendit, ndërkohë që edhe i dyti, ndonëse me nivele më të ulëta, kudo që ka luajtur ka arritur të shpalosë vlerat e një sulmuesi cilësor.

Njohjen me Kirin, një sulmues me tipare shumë teknike, dhe sidomos i spikatur për shpejtësinë e tij në veprimet me dhe pa top, shkodranët e kanë më të madhe, pasi më herët ka qenë pjesë edhe ekipit të parë të Vllaznisë. Drejtuesit kuqeblu kishin ditë të tëra që ishin në merkarto, dhe ndërsa arritën të sigurojnë shërbimet e katër emrave të njohur të Superliges shqiptare, treshes shkodrane, Hasani-Lika-Vucaj si dhe nigerianit Orelesi, por edhe ganezit Atsina, tashmë bëjnë realitet edhe dy emra të tjerë që i takojnë futbollit shqiptar si Ribaj dhe Kiri.

Ribaj ka rënë dakord me drejtuesit që kontrata me Vllazninë të jetë një-vjeçare me të drejtë rishikimi, ndërkohë që për shkodranin Kiri, i cili sezonin e kaluar ka luajtur për ngjyrat e Tomorit të Beratit, kontrata është më e gjatë me afat kohor, tre plus një. Të zyrtarizuar tashmë si futbollistë të Vllaznisë, dy futbollistët në fjalë, Ribaj dhe Kiri do të prezantohen sot pasdite me ekipin kuqeblu dhe menjëherë më pas do të vihen në dispozicion të teknikut Armando Cungu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *