Rezultatet e Kukësit, a është vetëm fusha arsyeja?

Sigurisht që një skuadër e mirë duhet të luajë në një stadium komod dhe në një fushë të mirë. Kukësi nuk e plotëson këtë kriter. Stadiumi po degradon dita-ditës ndërkohë që fusha është pothuajse e papranueshme dhe kjo konfirmohet nga të gjithë, mbi të gjitha nga lojtarët. Megjithatë, statistika që ka që në tetor pa fituar në fushën e saj është jo vetëm e trishtë, por dhe ngre pikëpyetjen nëse vërtet terreni është arsyeja kryesore. Sezonin e shkuar fusha ishte në të njëjtat kushte dhe Kukësi nuk humbi asnjë ndeshje në Kukës, përkundrazi, fitoi shumicat e tyre.

Këtë sezon në Kukës kanë fituar Skënderbeu, Partizani, Luftëtari, Lushnja e Kamza, 5 humbje brenda fushës, rezultate që konkurrojnë edhe Lushnjën e vendit të fundit. Një çudi më vete, nëse mendon se Kukësi ka në gjirin ndoshta dyshen e sulmit më cilësore në kampionat, Bakaj-Guri, përvoja dhe e ardhmja, dy nga shënuesit më të mirë të Superiores.

Fusha mënjanë, stafi teknik dhe presidenca nuk duhet t’i trajtojnë rezultatet dhe 14 pikët pas Skënderbeut vetëm duke iu referuar një terreni të papërshtatshëm. Kukësi edhe në këtë rifillim me Pakultin nuk është brilant, ka vetëm një fitore në Shkodër, në një ndeshje ku gjithashtu rrezikoi të mos merrte tri pikët. Një sy realist e kupton se dhe nga pikëpamja e lojës ka diçka që nuk shkon. Tirana e superdominoi Kukësin, megjithëse ishte me 10 vetë për 70 minuta, ndërkohë që kundër Flamurtarit barazimi erdhi pas një 11-metërshi në minutat e fundit. Humbja me Kamzën është tregues se mrekullitë nuk ndodhin me një të rënë të lapsit dhe patjetër që merkatoja e janarit nuk mund të shpëtojë fatet apo të bëjë kthesa cilësore në kampionat.

Kukësi nuk është më ai i sezonit të shkuar dhe kjo është e qartë, pavarësisht se sidomos në buxhet dhe në emra këtë vit është investuar më shumë. Nëse Kukësi i shkon kupës deri në fund dhe arrin Europa Ligën nëpërmjet kampionatit, atëherë me siguri duhet konsideruar sukses.

Infrastruktura është shumë e rëndësishme dhe ajo duhet të ndryshojë jo vetëm për të konceptuar fatet e sezonit. Një skuadër e tillë meriton një stadium dhe një fushë më të mirë. Kukësi nuk luan dot aty as në turin e parë të Europa Ligës, ndërkohë që trajnerë e lojtarë, vendas e kundërshtarë, ankohen ndjeshëm për kushtet e terrenit. Megjithatë duhet pranuar, te Kukësi nuk është vetëm problem terreni. Skuadra në fushë gjithashtu nuk po bind.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *