Rexhinaldo, Soue dhe Guri, golat sjellin një mal me pikë!

0

Nëse sot renditja e kampionatit thotë Skëndebeu, Kukësi dhe Laçi, gjithçka nis nga sulmi, aty ku Partizani dhe Flamurtari kanë çeduar. Por, talenti i verilindorëve është ai që ka më shumë premisa

Me gjuhën e golit… Nëse sot nuk ke një bomber, ose sulmues që të zgjidh ndeshjet, atëherë vështirë që mund të luash për objektiva të rëndësishëm. Dhe, ajo që bie në sy në Superligë është pikërisht fakti që tre skuadrat e para të kampionatit kanë golashënues me mbi 10 gola. Por, do të kthehemi të flasim, sepse ka edhe dy skuadra që në verë dhe janar duhet të kishin qenë më të kujdesshëm në merkaton e repartit ofensiv. Po flasim për Partizanin dhe Flamurtarin.

 

Pa bombera –  Partizani, edhe pse me një brum të mirë, ndodhet në pozita jo të denja për emrin që ka. Kjo sepse për të gjetur golashënuesin e të kuqëve pas 24 javësh, duhet të shkosh deri te 5 golat dhe aty ndodhet një mesfushor krahu si Gerhard Progni, një mesfushor si Trashi dhe një fantazist si Jurgen Bardhi… Me largimin e Ekubanit dhe ardhjen e Edgar Çanit, i dëmtuar, sulmi i Partizanit ka qenë inekzistent. E teksa Partizani ndodhet në vend të pestë, mbi të qëndron Flamurtari, që gjithashtu në gjuhën e golave është ende larg pritshmërisë. Në fakt, me 7 gola është Bushiç ai që zgjidh ndeshjet, teksa 90% e golave të tij kanë sjellë pikë. Janë 9 pikë që kroati ka siguruar, ndërsa është ndalur në dy dopieta deri tani.

Deçizivë – Golashënuesi më i mirë i Superligës, Elis Bakaj, ka fluturar në Bjellorusi, teksa ka kontribuar te Kukësi me 12 gola që kanë sjellë plot 12 pikë. Pra, nëse bëhet një analizë, pa golat e Bakajt, sot Kukësi do të ishte në mes të renditjes së Superligës. Por, nëse Bakaj iku, te verilindorët një djalosh po shkëlqen dhe po tregon se padiskutim e ardhmja i përket… Ndoshta, jo edhe për shumë kohë në Superligë. Po flasim për Sindrit Gurin, që ka realizuar 10 gola, pra 2 më pak se Bakaj, dhe vetëm 1 me penallti, teksa janë 6 penalltitë e Elisit. Në fakt, edhe golat e Gurit kanë sjellë po 12 pikë. Dhe, në shtatë raste kur ai ka shënuar i pari për ekipin verilindor, janë fituar katër ndeshje, barazuar 1 dhe humbur 2.  Por, nëse Guri dhe Bakaj janë shqiptarët, surpriza “Laçi” flet me gjuhën e Rexhinaldos, sulmuesi i blerë nga Luftëtari.

 

Dhe, në krahasim me sezonin e shkuar, edhe pse ka mbetur 12 javë deri në fund, sulmuesi nga Mozambiku ka shënuar 3 gola më shumë. Tashmë është në kuotën e 11 golave, teksa vjet ishte 8 gola pas 32 ndeshjesh. Deri tani ka luajtur vetëm 19 ndeshje. Pra, një mesatare e rritur me 1,7 gola për ndeshje. Ose ndryshe, 1 gol në 154 minuta, pra në një ndeshje e gjysmë.

Sakaq, pas kritikave, ka shpërthyer edhe Soue i Skënderbeut, i cili është në kuotën e 11 golave, por që në 2018-n ka realizuar pesë gola me peshë, duke i dhënë 5 pikë skuadrës korçare.

Pra, një mesatare e frikshme me 1,6 gola për ndeshje ose ndryshe 1 gol çdo 166 minuta, pra një mesatare më e ulët se sa Rexhinaldo. Sa i përket Gurit, ai shënon 1 gol çdo 214 minuta.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.