Rexhinaldo “mollë sherri”, Kukësi kërkon ta “rrëmbejë”

Është Rexhinaldo synimi i madh i Kuëksit për të kompletuar sulmin, pas afrimit të Sebino Plakut. Sulmuesi nga Mozambiku luan prej dy sezonesh në Shqipëri dhe pas debutimit të mirë me Luftëtarin, e arriti kulmin e vet te Laçi. Sezonin e fundit Rexhinaldo shënoi 18 gola në 31 ndeshje kampionati, si dhe 3 gola në 5 ndeshje kupe, duke qenë vendimtar në ecurinë e shkëlqyer të Laçit. Duket se Kukësit i ka mbetur në mendje supergoli i shënuar nga 28-vjeçari më 18 prill në Kukës, kur shënoi golin që çoi Laçin në gjysmëfinalet e kupës.

Për këtë arsye, te Kukësi po mundohen ta bëjnë të vetin, por është një histori e ndërlikuar. Rexhinaldo, edhe pse pati jo pak probleme me presidentin Pashk Laska në një moment të sezonit, ka firmosur kontratë për sezonin e shkuar, por me detyrimin për të luajtur edhe në Europë me Laçin.

Pikërisht këtu ngec gjithçka, sepse nuk dihet qartë a ka klauzolë që e mban në Laç, apo marrëveshje xhentëlmenësh me presidentin laçian, i cili natyrisht nuk ka ndërmend ta lërë të lirë kaq lehtë, pasi do të luante në Europa League pa sulmuesin e vet kryesor dhe nuk është e lehtë të gjesh zëvendës kaq shpejt. Vetë Rexhinaldo ka pasur jo pak oferta nga brenda e jashtë Shqipërisë dhe synimi i tij është kalimi në ndonjë kampionat më të pasur, por nëse Kukësi i ofron një kontratë të rëndësishme, do të pranonte me shumë dëshirë, pasi tashmë është “shqiptarizuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *