Revolucioni te fëmijët, FSHF shpalos projektin!

 

Në një tryezë të përbashkët, ku nuk munguan e trajnerë dhe prindër fëmijësh, u diskutua për rreth 2 orë për misionin e ri për zhvillimin e futbollit te kjo moshë delikate, duke nisur me licencimin

Anton Cicani

E ardhmja nis nga fëmijët dhe nuk mund të ketë zhvillim nëse rritja e tyre nuk është në rrugën e duhur dhe nëse nuk i krijohen kushtet që kjo të ndodhë ashtu si duhet dhe jo me “trysni”. Për këtë arsye, Federata Shqiptare e Futbollit, ashtu si edhe kishte premtuar, ka prezantuar nismën më të re në lidhje me futbollin e fëmijëve.

Presidenti i këtij institucioni, Armand Duka zbuloi se tashmë të gjithë futbollistët e vegjël do të lincensohen, ndërkohë që ish kapiteni i kombëtares shqiptare Lorik Cana nënvizoi rëndësinë e madhe që ka futbolli i fëmijëve për një vend.

Futbolli i fëmijëve, pra tani e tutje do të organizohet dhe licencohet, ashtu si futbolli i të rriturve deri në U-17. Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar nismën “Gjithçka për fëmijët, që ka në qendër të vëmendjes pikërisht organizimin dhe licencimin e futbollistëve të gjitha moshave, në bazë të kritereve të vendosura nga UEFA e FIFA.

Sipas këtij projekti, tani e tutje çdo klub do të duhet të ndajë ekipet në U-7, U-9 e me radhë deri në U-19. Çdo futbollist do të regjistrohet sipas rregullave, Akademitë duhet të kenë buxhet të ndarë nga klubet, duhet të jenë të regjistruara në gjykatë, të kenë kushtet bazë për një skuadër futbolli (fushë stërvitore, ndeshjeje, dhoma zhveshjesh, rrethim fushe, pankina të mbuluara dhe dushe).

Tani e tutje ekipet e moshave do të duhet të ndjekin programin e zhvillimit të fëmijëve dhe të zbatojnë kritere sportive të unifikuara, duke nisur nga puna me trajnerët, që tani e tutje nuk do të lejohen të stërvitin më shumë se dy ekipe, jo të një moshe.

Fjalimi i Armand Dukës

“Të nderuar zotërinj, prindër, trajnerë dhe fëmijë, por edhe përfaqësues të medieve. Menduam të mblidhemi sot bashkë në këtë tryezë për të pasur bashkë një bashkëbisedim, diskutim mbi atë që federata e futbollit e konsideron si prioritetin kryesor të saj mbi futbollin e fëmijëve dhe të ardhmen. Futbolli duke qenë padyshim sporti më i dashur në botë, gjithashtu edhe në vendin tonë, na lind nevoja që t’i krijojmë kushte optimale këtyre fëmijëve, për të ardhmen e shëndetshme të tyre. Dhe, pse jo, duke u bërë futbollist profesionistë dhe të mëdhenj si Lorik Cana (përkrah Dukës). Jemi mbledhur bashkashirsht me specialistë, sportistë, anëtarë të shoqërisë civile, që kanë lidhje direkte ose indirekte me zhvillimin e futbollit në vendin tonë. Jemi këtu për të diskutuar dhe dëgjuar rekomandimet tuaja, se çfarë mund të bëjmë si federatë për të bërë maksimumin. Prej disa kohësh, kemi marrë angazhimin maksimal për këtë drejtim, por mbase shumë pak prej tyre janë vënë re në syrin e opinionit publik. Sot, dëshirojmë të paraqesim disa nga nismat e fundit për futbollin e fëmijëve”.

Lorik Cana, Ilir Shulku, Armand Duka dhe Gerti Çarçani

Nismat e Federatës

  1. Do të vihet një sistem licencimi për të gjithë futbollin e fëmijëve, duke nisur nga mosha 7-vjeç, për të ndryshuar tashmë në një stad të ri të zhvillimit të futbollit. Nëpërmjet këtij sistemi licencimi, do të kemi filtër për të përmirësuar gjithçka për futbollin e fëmijëve. Për infrastukturën, për mënyrën, pedagogët, trajnerët, që duhet të jenë të licencuar. Për programin që duhet të miratohet nga drejtoria teknike e FSHF-së. Do të vendosin disa kritere, që do të tentojnë hap tjetër cilësor, në përmirësimin.
  2. Riaktivizimi i ekipeve përfaqësuese rajonale, për t’i dhënë një shtysë më tej dëshirës dhe futbollit të fëmijëve, për t’u afruar në këtë lojë. Për t’u ndjerë më afër dhe më të rëndësishëm dhe për të qenë ekipet rajonale shembull se si duhet të trajnohet një fëmijë, demonstrim në atë zonë.
  3. “Topi yt”, një tjetër projekt që është duke vijuar që prej fillimit të sezonit. Iniciativë unike, pasi jemi e vetmja federatë në botë që furnizojmë dhe falim atë që është lënda e parë, pra topin, për ata që marrin pjesë në aktivitetet që organizon ky institucion.
  4. Një tjetër projekt pilot, që përkrahet dhe financiarisht nga UEFA është Groë. Një projekt që ka të bëjë me afrimin dhe përfshirjen e sa më shumë fëmijëve nga mosha 7-9 vjeç, meshkuj dhe femra. Tentojmë të afrojmë femra. FSHF ka krijuar staf të posaçëm në të gjashtë rajonet e Shqipërisë, siç edhe e kemi ndarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *