Revolucioni Milan, Bilia kuqezi, Kesie e Rodrigez thuajse e mbyllur

Lukas Bilia është praktikisht një futbollist i Milanit. Mesfushori argjentinas do të transferohet në Milano për 18 milionë euro, por Lacio do të përfshijë në marrëveshje edhe 4 milionë euro bonuse. Për 31-vjeçarin, që lë Romën pas 4 vitesh të suksesshme, është gati një kontratë 3-vjeçare, me 2.5 milionë euro në sezon, plus 500.000 euro bonos në arritjen e 25 ndeshjeve në sezon. Përtej moshës disi të lartë, Bilia është mjaft i nevojshëm për Milanin, për eksperiencën që ka dhe për faktin se Milanit i mungon një regjist i besueshëm.

KESIE – Mesfushori i Atalantës ka vazhduar sot kontrollet mjekësore në Milano. Një problem i vogël në gju ka bërë të nevojshme kontrolle të detajuara, ndërsa nesër do të zhvillohen testet atletike në MilanLab. Gjithçka pritet të shkojë mbarë dhe mesfushori do të zyrtarizohet si blerja e radhës për Milanin, që do t’i japë 28 milionë euro Atalantës për 21-vjeçarin, i cili ka mahnitur në Serinë A këtë sezon, duke shënuar 6 gola në 25 ndeshje si titullar.

RODRIGEZ – Pasi ka zyrtarizuar qendërmbrojtësin Mateo Musakio, Milani është gati të përforcojë edhe njërin krah të mbrojtjes, sepse Rikardo Rodrigez është shumë pranë transferimit në kuqezi. Mbrojtës i majtë, Rodrigez luan prej vitit 2012 te Volfsburgu, ku është kthyer në një pikë kyçe, por tashmë 24-vjeçari kërkon me ngulm largimin dhe Milani ka arritur të ulë ndjeshëm çmimin, 15 milionë euro plus 3 milionë bonus, në krahasim me 22.5 milionë eurot e klauzolës së prishjes së kontratës. Rodrigez është një futbollist i aftë të luajë si në të majtë në mbrojtjen me 4 lojtarë, ashtu edhe si qendër e majtë në mbrojtje me 3 lojtarë (Rodrigez, Romanjoli, Musakio).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *