Revolucioni i UEFA-s: Kampionati në mesjavë, Champions-i në… fundjavë!

Futbolli është një lojë me shumë rregulla, që ndryshohen me kalimin e kohës. Prej vitesh po flitet për krijimin e Superligës Europiane, por FIFA është kundër kësaj ideje. Qeveria Botërore e Futbollit ka kërcënuar futbollistët se nëse ata do të marrin pjesë një ditë në një kompeticion të tillë, t’i harrojnë ndeshjet e FIFA-s, përfshirë dhe Kupën e Botës.

Një gjë e tillë e shqetëson UEFA-n, që, siç citon “AS”, po mendon të bëjë një revolucion të vërtetë, duke evituar krijimin e Superligës Europiane. Një modifikim të ndeshjeve të kampionatit dhe atyre të Champions-it, me të parat që do të luhen në mesjavë dhe Champions-in… në fundjavë!

Ndryshimi? Rritje ekonomike, më shumë tifozë për “fundjavën” e Champions-it, pasi do të jetë më e thjeshtë për të ftuar njerëzit në stadium. Mbi të gjitha, më shumë fitime nga të drejtat televizive.

Një gjë e tillë kundërshtohet nga katër ligat kryesore në Europë (Seria A, La Liga, Premier Liga dhe Bundesliga). Katërshja nuk dëshiron t’i dhurojë fundjavat UEFA-s për të luajtur ndeshjet e Champions-it.

Ata vazhdojnë t’i kërkojnë Qeverisë Europiane të Futbollit kualifikimin e katër ekipeve direkt në fazën e grupeve në Champions, gjë që kundërshtohet nga klubet e vogla, duke çuar në një pabarazi gjithnjë e më të madhe. Një gjë e tillë do të kthente Champions-in në një farë Superlige Europiane, kështu që rikthehemi në fillim te përplasja FIFA-UEFA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *