Revolucioni i heshtur i Dajës, Flamurtari po kthehet vlonjat

Shtatë pikë në tre ndeshje, asnjë gol i pësuar, një skuadër që premton shumë dhe ka vetëm nevojë për qetësi, sidomos në aspektin e menaxhimit jashtë fushe, sepse prej vitesh Flamurtari përmendet më shumë për hallet me pagat, gjobat, problemet me arbitrat dhe borxhet pa fund trashëguar nga e shkuara, që nuk e lejojnë të licencohet për të luajtur në kupat e Europës.

Ndoshta këtë vit gjithçka ka ndryshuar, sepse në stol është ulur Ilir Daja, kampioni absolut i sezonit të shkuar, një që la Korcën për Vlorën dhe natyrisht disa garanci i ka marrë nga Sinan Idrizi. Në Vlorë janë mosbesues, janë djegur disa herë, por gjithçka i mbetet së ardhmes.

E tashmja është e bukur, për shumë arsye, nga fakti që Flamurtari nuk pëson gol e deri tek e veçanta e tre titullarëve vlonjatë në Gjirokastër. Është edhe ky një lajm i madh për vlonjatët, që kanë vite që çirren: “Ku janë lojtarët vlonjatë, Flamurtari duhet të mbështetet te djemtë e vet”.

Thirrje pa vlerë, futbolli profesionist nuk njeh pasaportë, por natyrisht në një qytet të madh si Vlora, që historikisht ka prodhuar talente për veten, për të tjerët dhe për kombëtaren, është e dhimbshme të shohësh që vetëm Franc Veliu mbijeton stoik prej vitesh, ndërsa të rinjtë zhduken pa lënë gjurmë.

Në fund të sezonit të shkuar Ardi Behari guxoi, luajti disa ndeshje me të rinjtë vlonjatë, por ishte më shumë një zgjedhje e diktuar nga kriza vlonjate dhe nga mungesa totale e objektivave, sepse mbijetesa ishte siguruar, Europa ishte “mollë e ndaluar” dhe më mirë t’u jepej një shans të rinjve, në një moment krize totale.

Është ndryshe tani, sepse Daja e ka nisur kampionatin duke ndërtuar një ekip të fortë, me shumë përforcime cilësore, por ndërkohë pa zhurmë Alessio Hyseni, Fjoralb Deliaj dhe Arbër Beqaj janë bërë të rëndësishëm. Të tre ishin titullarë në fitoren në Gjirokastër dhe bënë figurë të mirë, si për të thënë se mjafton vetëm pak besim dhe mund të bëhen edhe ata titullarë në një ekip që ul në stol emra si Veliu e Sirgi, apo që pret emra si Elton Kale e Danilo Alvesh.

Është herët për të thënë që talentet e Flamurtarit, të gjithë 19-21 vjeç, do të vijojnë të luajnë rregullisht, por në Vlorë nuk duhet të ankohen më. Ekipi është i fortë, mjafton të shihet renditja, trajneri është fitues, klubi po mundohet të tregohet serioz në maksimum brenda e jashtë fushe dhe të rinjtë vlonjatë po vlerësohen. A do të konfirmohen përfundimisht? E ka në dorë Daja, por në Vlorë mund të qëndrojnë të qetë, ai nuk sheh askënd nga emri, paga apo prejardhja. Revolucioni i heshtur i tij sapo ka nisur, tashmë u takon lojtarëve ta mbajnë vendin në ekip.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *