Revolta dhe dritëhijet e divorcit, çfarë ndodhi me Musollin?!

Prapaktheu për Besar Musollin. Te Kukësi duken se janë prekur në sedër pas situatës së krijuar prej zyrtarizimit të largimit të mesfushorit. Futbollisti 29-vjeçar ka fituar gjithçka me verilindorët, por mbi të gjitha zemrat dhe respektin e tifozëve.

Ai që duket se e ka përjetuar më keq ka qenë presidenti Safet Gjici. “mes Presidentit dhe 29-vjeçarit është rënë dakord që lojtari të qëndrojë te Kukësi, të vijojë rehabilitimin, të jetë pjesë e ekipit dhe për t’u rikthyer në fushën e lojës madje për të qenë përherë pjesë e skuadrës nënkampione të Shqipërisë”, njoftonte klubi verilindor një ditë më parë.

REVOLTA – Në rrjetet sociale kanë qenë të shumta ata që kanë kundërshtuar largimin e Musollit nga ekipit. I dëmtuar që në ndeshjen me Teutën fazën e parë, mesfushori po vijon fazën e rikuperimit dhe kthimi i tij vonon. Me t’u bërë publik lajmi i largimit, komentet e tifozëve ishin të shumta. Shumë prej tyre edhe fshiheshin, për shkak se nuk mungon as akuzat për klubin.

Veç tifozëve, Musollin e mbështetën edhe shokët e ekipit. Çyrbja në konferencë për shtyp, por edhe Rrumbullaku para ndeshje me Luftëtarin, hapur e thanë që nuk u ka ardhur mirë për largimin e mesfushorit. Edhe ish-lojtarë të Kukësit nuk ngurruan të dilnin krah Musollit.

QËNDRIMI I MUSOLLIT – “Jetës nuk i dihet asnjëherë dhe fatin tonë e vendos vetëm Zoti. Pas një aventure të gjatë, ku takova shumë miq të mirë, arrita shumë suksese, por kalova dhe shumë vështirësi, dua të njoftoj që aventura ime te Kukësi mbyllet këtu. Jam ndjerë si në shtëpinë time nga pritja e tifozëve, të cilët më kanë mbështetur që nga momenti i parë kur firmosa me Kukësin dhe vijojnë që ta bëjnë edhe tani kur po kaloj një moment jo pak të vështirë. Më besoni që nuk do doja që të ndahesha në këtë mënyrë, por rrethanat na shtynë që të merrnim një vendim ku të përshëndetesh me presidentin dhe drejtuesit. Dua të falënderoj këdo që më ka qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj kohe. LAMTUMIRË. Forca Kukësi”, shkruante Musolli.

Në klubin e Kukësit është këmbëngulur që mesfushori 29-vjeçar e ka kërkuar vetë largimin. “Më besoni që nuk do doja që të ndahesha në këtë mënyrë, por rrethanat na shtynë që të merrnim një vendim ku të përshëndetesh me presidentin dhe drejtuesit”. Kjo fjali tregon qartazi që diçka ka ndodhur dhe Musolli është detyruar të kërkojë largimin, që fillimisht iu aprovua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *