(Retrospektiva) UEFA-Skënderbeu, tani nis stuhia…

Parantezë: ky artikull i kushtohet ngjarjeve të 8 dhjetorit 2016, pasi Skënderbeu u dënua me 1 vit përjashtim nga aktivitetet UEFA

U duk se mbaroi gjithçka në verë, me një vit përjashtim nga Liga e Kampioneve, por tashmë rinis “furtuna” dhe nuk i dihet fundi

Beteja e gjatë mes UEFA-s dhe Skënderbeut këtë verë paska qenë vetëm raundi i parë dhe së shpejti do të ketë zhvillime të reja, të bujshme, raporton agjencia e njohur e lajmeve “Associated Press”. Këtë e zbulon vetë UEFA, që po përgatitet për të dënuar sërish kampionët e Shqipërisë, në bazë të një hetimi ende në zhvillim e sipër, për trukimet e ndeshjeve.

Në verë Skënderbeu u dënua për një sezon, duke u përjashtuar nga kupat e Europës për sezonin 2015/2016, por ka qenë vetëm “një masë paraprake”, tha dje Emilio Garsia, kreu i njësisë së disiplinës dhe integritetit në UEFA. “Organet disiplinore në UEFA po marrin në konsideratë masa reale disiplinore”, u shpreh Garssia në një diskutim mbi trukimin e ndeshjeve, gjatë Konventës Ndërkombëtare të Sportit. Garsia tha se çështja fillestare e hapur nga UEFA bazohej në dyshimin mbi trukimin e dy ndeshjeve kualifikuese në Ligën e Kampioneve dhe dy ndeshje në grupet e Europa League, në vitin 2015. Gjithashtu, UEFA dyshon se Skënderbeu është përfshirë në trukimin e rreth 50 ndeshjeve në kampionatin shqiptar, prej vitit 2011.

Përjashtimi i Skënderbeut nga UEFA u aprovua edhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), bazuar në provat për modele të parregullta bastvëniesh.

“Është hera e parë që patëm kurajën të grumbullonim një seri raportesh mbi bastet dhe t’ia paraqitnim CAS-it”, tha avokati i UEFA-s.

Në qershor Skënderbeu e konsideroi të padrejtë pezullimin nga UEFA dhe e apeloi vendimin në CAS, por edhe aty vendimi i la në fuqi, duke bërë që Partizani të merrte vendin e Skënderbeut në Champions League.

Në vitin 2015 Skënderbeu humbi një ndeshje në Ligën e Kampioneve ndaj irlandezo-veriorëve Krusejdërs, duke pësuar dy gola në minutat e fundit të ndeshjes, me kuota krejtësisht anormale. Ndërkaq, në tetor 2015 Skënderbeu u mund 5-1 nga Sportingu i Lisbonës dhe u ndëshkua me karton të kuq në pjesën e parë, përveçse iu dhanë dy penallti kundër në pjesën e parë. “Shifrat nuk gënjejnë dhe modeli i bastvënies nuk gënjen. Edhe gjykatësit e CAS-it ranë dakord që monitorimi i tregut të basteve është një mjet i besueshëm prove”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *