Reshjet pengojnë Luftëtarin, Rroca në dyshim ndaj Teutës

Gjirokastritët janë detyruar të ngujohen paradite në pallatin e sportit, ndërsa pasdite kanë bërë vetëm vrapime 

Gëzim Beqiri

Reshjet e shumta të shiut kanë bërë që Luftëtari të ndryshojë programin stërvitor. Ishte parashikuar një ditë më parë zhvillimi i një ndeshjeje kontrolli, e nevojshme kjo për trajnerin Hasan Lika për një vëzhgim më të mirë për futbollistët që mendon se do të jenë titullarë ndaj Teutës. Paradite futbollistët janë stërvitur në pallatin e sportit, duke kryer fillimisht ushtrime fizike dhe më pas kanë ushtruar veprime të kufizuara me top, sidomos lojëra me dorë. Pasdite kushtet atmosferike kanë qenë edhe më të vështira, duke mos iu dhënë mundësinë futbollistëve të vepronin me top brenda fushës së stadiumit, kjo për të mos e dëmtuar atë për ditën e ndeshjes. Për këtë arsye futbollist kanë vrapuar përreth pistës dhe disa minuta kanë qarkulluar topin në anësoret e fushës. Parashikohet që dita e mërkurë, kur Luftëtari do të presë në fushën e vet ekipin e Teutës, të jetë përsëri me reshje shiu dhe stafi teknik është duke menduar që stërvitja në tre ditët e ardhshme të zhvillohet në një tjetër fushë dhe jo në atë të terrenit stërvitor në “Fushën e Vjetër”, duke qenë se ajo është me tapet artificial dhe futbollistët e kanë të nevojshme të ambientohen me kushte të njëjta ku do të zhvillohet ndeshja. Stërvitja e paradites është zhvilluar në grup dhe e drejtuar nga përgatitësi atletik Koltsidas, ndërsa pasdite kanë vepruar të ndarë në dy grupe në dy anësoret e stadiumit. Disa kanë vrapuar për disa minuta veçmas grupit dhe në veprimet me top janë bashkuar përsëri. Të dy seancat stërvitore janë zhvilluar nën vëzhgimin e trajnerit  Hasan Lika, i cili më shumë ka komunikuar me ndihmësin e tij, edhe për faktin se e gjithë dita e djeshme i është kushtuar përgatitjes atletike dhe fizike të futbollistëve. Në stërvitjen e djeshme e disa futbollistë fillimisht kanë vrapuar të diferencuar, me një ritëm më të ulët se të tjetër dhe janë bashkuar me grupin në veprimet me top. Ka munguar dje në stërvitje  futbollisti Kristal Abazaj, që ishte i Grmbulluar dhe luajti me kombëtaren e 21–vjeçarëve ndaj Irlandës së Veriut. Sulmuesi, sikurse raporton stafit teknik, do të jetë i gatshëm për ditën e ndeshjes ndaj Teutës të mërkurën. I vetmi futbollist që është në dyshim për t’u aktivizuar është mesfushori Eduart Rroca, për arsye shëndetësore. Gjithsesi do të pritet deri në ditën e ndeshjes të vendoset për të nëse do të jetë në formacion. Gëzim Beqiri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *