REPORTAZH/ Tërbuni i Pukës, një vit pas “ikjes” nga …elita

0

Speciale nga FATMIR EFICA

Udhëtimi drejt Pukës mbart një sërë surprizash. Qyteti me 16.823 banorë është i vendosur dhe rrethuar me një “kurorë” kodrash e malesh. Futesh si pa kuptuar në një zonë tashmë me profil turizmin gjithëvjetor. Dikur ka qenë “bazë” industriale tepër e pasur. Miniera e bakrit në Munellë, Lakrosh e Karlinë kishin dhe kanë pasuri me përbërje të mëdha ari dhe 12 nënprodukte të tjera. Ecja, në një shëtitje të zakonshme, ku ndjen flladin e freskët të ajrit që është “filtër” më vete. Po kështu dhe uji i mrekullueshëm i burimeve të pashtershme. Puka, ka kohë që është shndërruar në një vend kurativ për shërimin e sëmundjeve të mushkërive. Teksa ndodhesh 836 metra mbi nivelin e detit në një sezon dimëror, ndjehesh me fat pasi ke në “pëllëmbë të dorës” e sheh kudo pyjet e dendura me pisha, bredh, ah, lisa, etj. Para viteve ’90-të, Puka ka qenë furnizuesja nr. 1 e Shqipërisë me lëndë drusore, madje qendër e prodhimit të mobilieve e parketeve. Pyjet vërtetë janë resursi më fantastik që ka ky qytet verior i cili po ndryshon përditë. Stimul shumë i rëndësishëm duket fondi prej 11 milion dollarë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për të lidhur me një rrugë të re moderne tre qytetet Pukë – Rrëshen – Fushë Arrës duke i kthyer në zona atraktive. Projektet interesante zhvillimore kanë nisur për ripërtëritjen e fasadave të ndërtesave, veçanërisht çative karakteristike. Pedonalja e qytetit afro 1 km e gjatë me punime me mozaik guri, sjell një mrekulli tjetër. Sikurse kthimi i liqenit në zemër të qytetit në bërthamë të turizmit duke shëtitur me varka, rregulluar parkun për fëmijë e ngritjen së shpejti të kopshtit botanik e zoologjik. Rikonstruksioni i monumenteve të kulturës, vendosja e emrave të rinj për bustet e simbolet e qytetit e respekti për njerëzit e shquar po shihen ndryshe. Dimension të paparë do të ketë përfundimi i terminalit inter-urban dhe urban të autobusëve e furgonave, për ta lidhur Pukën me gjithë Shqipërinë. Ndër resurset që në Pukë ka shkëlqim unik janë bujqësia e blegtoria. Fermerët janë duarartë. Ndërsa prodhimet të gjitha bio. Mbeten shumë joshëse në çdo stinë. Prandaj dhe organizimi i shpeshtë i panaireve me prodhimet bujqësore e blegtorale, frutikulturës ka zgjuar interes të madh. Mjalti pukjan është me shumë nam. Dhe thuajse importohet i gjithi në Britaninë e Madhe. Edhe për kërpudhat  po kështu.

Pak nga historia e futbollit pukjan

Sezoni i shkuar futbollistik 2015-16 do të mbetet i salduar gjatë në memorien e historisë së skuadrës së Tërbunit të Pukës. Duhet pranuar se ka pasur tentativa edhe në periudha të tjera për të prekur “maja” por “puthja” me elitën më në fund u bë realitet. Paçka se shumë provizorisht. Mund të duket çudi, por është një e vërtetë historike, fakti që themelimi i KF “Tërbuni” në marsin e vitit 1936 ka dorën e Migjenit. Poeti i madh organizoi kishte sjellë topin e parë në Pukë. I vetmi që jeton ende nga brezi i parë i futbollistëve është 95-vjeçari Eqerem Rrusta. Ka edhe emra të tjerë në vite e dekada si: Shaziman Pema, Bislim Laçi, Ismail Xhemali (emrin e tij mban stadiumi aktual), Qamil Pema, Selim Beziri, Nebi Laçi, Ramë Xhemali, Xhelal Mani, Mustafa Xhemali, Ramadan Kraja, Enver Mustafa, Zef Lazri, Bujar Mustafa që ka shënuar 47 gola në karrierën e tij, dy madje ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë mbi 25 vite më parë. Apo Lazër Linadi, Besnik Galicaj, Haziz Gruda, Bardh Leka, Dhimitraq Cfarku, Riza Shabani që ka qenë edhe shef klubi. Ali Hoxha portieri nga Gjirokastra që luajti 17 vite në Pukë dhe e la futbollin 38-vjeç. Nuk duhet harruar në periudhën 1983 -86 puna e trajnerit të mirënjohur shkodran, Millan Vaso, që vuri piketat e forta për futbollin në Pukë. Me ndihmën e Bashkisë dhe biznesit pukjan ka qenë fillimisht Petrit Syla në vitet 2011-2016 që e ngjiti Tërbunin dy herë në Kategorinë e Parë.

Çfarë ndodhi sezonin e shkuar 2015-2016

Tërbuni i Pukës realizoi një ëndërr mbi ngjitjen dhe luajtjen në Kategorinë Superiore të futbollit shqiptar. Në elitë u përpoq të jepte shumëçka nga tradita e vet modeste. Natyrisht vuajti mungesën e përvojës. Por me shumë impenjim zgjidhi me “shpejtësinë e erës” problemet e infrastrukturës. Fusha e mirë solli komoditet jo vetëm për Tërbunin. Në Pukë kërkuan të luanin edhe ekipe të tjera. Madje për pak kohë stadiumi “Ismail Xhemali” u bë “shtëpi e dytë” për Vllazninë e Shkodrës. Në mungesë të talenteve vendas, te Tërbuni u “importuan” shumë lojtarë nga skuadra të tjera, e madje dhe nga shtete të huaja. Por pjesa dërmuese e tyre nuk e përcolli këtë sezon historik me përgjegjshmërinë e kërkuar. Kështu, ndonëse përpjekjet nuk munguan, mbijetesa u bë mision i pamundur. Skuadra ra në Kategorinë e Parë….

Përjetimet e ekipit në sezonin aktual 2016-2017

Nga sezoni 2008-09 kur u ngjit për herë të parë në kategorinë e Parë, KF “Tërbuni” këtë sezon ka debutimin e vet të gjashtë. Është shpallur një herë kampion në sezonin 2014-15. Për fat të keq Puka duket se nga eksperiencën e vet në elitë nuk ka nxjerrë mësimet e duhura të rënies. Ekipi renditet në vendin e fundit në grupin A dhe rrezikon rënien në ligën inferiore (kategorinë e dytë). Ka ndërruar trajnerët po dhe mjaft lojtarë. Është një premtim i drejtuesve që ekipin nuk do të lënë të rrëshqasë, por kjo mbetet për tu parë në vijim. Keqardhja momentale veçmas brishtësisë së paraqitjeve të ekipit lidhet dhe me “ftohjen” e tifozëve por dhe largimin e donatorëve. Pa ndihmën, mbështetjen e inkurajimin e fortë të tyre, natyrisht skuadra e ka të vështirë të ngrihet aty ku e meriton.

Pallati i Ri i Sportit

Gëzohesh me faktin që është në përfundim Pallati i ri i Sportit, në një zonë afër stadiumit të ri të qytetit, rikonstruktuar vetëm pak kohë më parë. Kapaciteti me 300 vende dhe struktura moderne me sistem ngrohje e parketi super në këtë pallat, janë një stimul tjetër inkurajues. Mundja me shumë tradita, lojërat me dorë, volejbolli e basketbolli, kik-boksi por edhe pingpongu, shahu e bilardo e ndonjë sporti tjetër, do ti jepet një shtysë e madhe që shumë-sportet në Pukë të ridimensionojnë nivelin e tyre.

 

E ardhmja/ Ka shpresë dhe sinjale…optimizmi

Përtej gjithçkaje ka jeta e qytetarëve në Pukë, sipas nënkryetarit të Bashkisë z. Astrit Kuqi, sporti në tërësi e në veçanti futbolli, do të jenë pa diskutim në fokusin e një ndihme të pakursyer nga ana e pushtetit vendor. Janë respektuar e do të luftohet në përmbushjen e të gjitha kërkesave të KF “Tërbuni”, duke kapërcyer madje edhe disa pengesa të tjera objektive që kanë të bëjnë edhe me fondet e buxhetin e pamjaftueshëm. Por ne si bashki duam e do të bëjmë gjithçka të mbajmë ndezur pa lënë të rrezikohet të bjerë një kategori më poshtë Tërbunin. Gjatë vitit 2017, saktësoi z. Kuqi, në KF “Tërbuni” synojmë rikthimin, gjallërimin e konsolidimin e të gjitha resurseve që kemi në mbështetje të futbollit. Le të themi se shpresa e sinjalet e optimizmit janë një ogur i mirë. Pozitat e vështira duam t’i kapërcejmë shpejt…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here