Rënia nga kategoria, Josa thumbon sërish drejtuesit e Tiranës!

“Shumë ndjesi e keqe të kthehesha në këtë stadium… Ishte hera ime e parë që rikthehesha në stadiumin “Selman Stermasi” që pas stërvitjes së fundit përpara finales së Kupës së Shqipërisë, që fituam ndaj Skënderbeut. Por, pak rëndësi ka tani. Nëse flas për ndeshjen sot, ishte thjesht një test miqësor, ku u provuan shumë lojtarë, ku bëmë disa ndërrime dhe ku sigurisht nuk u vumë në vështirësi për asnjë moment”.

Mirel Josa e nis kështu diskutimin e tij pas fitores 3-1 të Prishtinës së tij ndaj Tiranës, ish-skuadra e fundit në Superligë, përpara se të shkonte në Kosovë. Sigurisht, për të është diçka e madhe të përballej me ngjyrat bardheblu të Tiranës, ku dihet tashmë lidhja e ngushtë.

I pyetur për Tiranën dhe nëse është gati për Superligë, ai tha se “është një pyetje që i duhet bërë drejtuesve dhe trajnerit të Tiranës, unë nuk kam se çfarë them, nuk dua të flas”.

Sa i përket Prishtinës tha se “duhet të presim dhe të shohim nëse mund të vijnë futbollistë të rinj, por ne deri tani kemi luajtur në Europë dhe nuk kemi bërë asnjë miqësore. Ishte e para dhe në tërësi shkoi mirë. Por, nuk duhet marrë si bazë”.

I ngacmuar edhe për rënien nga kategoria tha: “Dita më e zezë për mua si trajner te Tirana. Por, nuk kthehet më asgjë mbrapsht. Duhet të merren përgjegjësitë dhe ato nuk merren me ngritjen nga Kategoria e Parë në Superligë. Përgjegjësitë e mia i mbaj, aq sa më takojnë. Eshtë njollë që do të jetë shumë zor ta heq nga memoria ime”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *