Rekordi i Xhekos, Mançini: Një nga më të mirët, shënon kudo dhe gjithmonë

Dygolëshi i shënuar përballë CSKA së Moskës ndihmoi Romën të siguronte një fitore tepër të rëndësishme për ecurinë në Champions, ndërsa Edin Xheko arriti shifrën e 80 golave të shënuar me ekipin verdhekuq në 150 ndeshje. Një gjë e tillë e bën sulmuesin shënuesin e tetë më të mirë të historisë së Romës dhe në vend të dytë në Champions me 15 gola të shënuar, dy më pak se legjenda Françesko Totit.

Një arritje e madhe për gjigantin boshnjak, që ka marrë dhe vlerësimin e Roberto Mançinit. Trajneri i kombëtares së Italisë e njeh mirë 32-vjeçarin. Kanë punuar së bashku te Mançester Siti, rikthyen titullin në “Etihad” pas shumë vitesh dhe Xheko është një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim për Mançinin.

Xheko është një sulmues i madh, prej vitesh një ndër më të fortit në Europë. Shifrat janë në anën e tij: ka arritur në dopjo shifër golash në Gjermani, Angli dhe Itali. Ka dhuntinë e golit dhe është i vlefshëm dhe në vendosjen e ekipit në fushë. Ka talent në këmbë dhe idetë e tij, di të luajë topin dhe bën skuadrën të luajë. Unë e kam trajnuar në periudhën më të mirë të tij, në kulmin e pjekurisë. Fituam titullin me Sitin me Edin, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm.”

“Askush nuk duhet t’i diskutojë cilësitë e tij. Si të gjithë sulmuesit, ai nuk i shënon të gjitha rastet që i paraqiten, bën gabime para portës, por nuk ka sulmues të pagabueshëm që realizon 10 gola në po kaq raste. Ai ka bërë gjëra të mëdha te Roma, arriti në gjysmëfinalet e Champions si protagonist, duke realizuar shumë gola. Kush shënon në këtë kompeticion, do të thotë se është një futbollist i veçantë dhe i rëndësishëm. Jam i sigurt që Edin do të jetë një nga golashënuesit më të mirë në Serie A dhe Champions dhe në këtë sezon”, përfundon për “Corriere dello Sport”, trajneri i të kaltërve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *