Rekordi i çmendur, flet Olta Rrapaj

0

Kohë rekordesh në basketbollin shqiptar, atë të femrave, ku duket se ka nisur një garë e pabesueshme për të thyer çdo barrikadë, me 100 pikët që janë kaluar tashmë.

E nisi Elektra Zykaj e Flamurtarit, që shënoi 79 pikë në një ndeshje, pastaj Igena Qypi te KB Goga Basket me 100 pikë, ndërsa para pak ditësh ishte Olta Rrapaj, basketbolliste e Flamurtarit, që realizoi 111 në ndeshjen e fituar 143-90 ndaj Kamza Basket. Është rekord absolut në basketbollin shqiptar dhe 28-vjeçarja nga Vlora është krenare për këtë rekord, që zor se do të thyhet në të ardhmen.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Rrapaj flet për rekordin e saj, karrierën dhe të ardhmen…

Olta, brenda pak kohe u thyen disa rekorde. Elektra shënoi 79 pikë, pastaj Igena Qypi 100, ndërsa ju ua kaluat të gjithave, me 111 pikë. A lidhet më shumë inati me Elektrën e Igenën, apo ishte njëra nga ndeshjet më të mira në karrierën e tuaj?

Mendoj se të shënosh sa më shumë pikë nuk mund të jetë kurrsesi çështje inati, por një ëndërr që e ka çdo lojtar që luan basketboll dhe unë e ndiej veten me fat që arrita të shënoj kaq shumë pikë në një ndeshje, ndoshta ishte dita ime me fat.

A keni pritur se do të shënoni 111 pikë ndaj Kamzës, si ndodhi?

Askush nuk futet në fushe me një synim ekzakt për shifra, por me synimin për të dhënë maksimumin në çdo drejtim. Në rastin konkret mund të them që nuk ishte vetëm merita ime, por në radhë të parë e trajnerit që besoj tek unë që nga minuta e parë dhe në radhë të dytë e vajzave të ekipit të cilat kur panë formën time të mirë bënë maksimumin duke me mbështetur dhe duke me dhënë kurajë.

Flamurtari është kampion në fuqi, a e ndjeni presioni nga Goga Basket, Vllaznia e Tirana në luftë për titull?

Si kampione në fuqi kemi luksin të mendojmë me qetësi për trofeun e radhës. Ky kampionat ka shumë rivalitet, sepse edhe dy ekipet e tjera Goga Basket dhe Tirana janë forcuar me blerje të shumta, gjithsesi eksperienca e Flamurtarit dhe numri i madh i trofeve që ka mbi supe e bën me komod dhe rrjedhimisht me të frikshëm në sytë e të tjerëve.

Basketbolliste dhe infermiere, sa e vështirë është?

Për vete kushtet në të cilat ndodhet sporti në Shqipëri çdo lojtare është e detyruar që përveç basketbollit të ushtrojë dhe një profesion tjetër, kjo do të thotë më shumë sakrifica dhe përkushtim dhe shumë pak kohe për argëtime të tjera. Gjithsesi, janë dy profesione që nuk kanë aspak lidhje me njëri-tjetrin, por që unë i dashuroj njësoj të dyja.

Paguheni më shumë si infermiere, apo si basketbolliste?

Rroga nuk tregohet. E rëndësishme është që unë ndihem shumë mirë me këto dy profesione që ushtroj.

A ka rritje të nivelit të lojës në basketbollin femëror në Shqipëri?

Pa diskutim që ka rritje të nivelit, sidomos teknik, të basketbollit të femrave. Sot vajzat përdorin shumë mirë të dyja duart, qoftë në driblim qoftë në gjuajtje, ndërkohë që vite me parë dora e majtë nuk përdorej pothuajse fare. Është rritur kërcyeshmëria dhe gjatësia mesatare. Dhe në nivelin taktik mendoj se ka ndryshime pozitive pasi vetë teknologjia mundëson që të shohësh shumë dhe të mësosh njëkohësisht.

Pas këtij rekordi, çfarë synoni dhe a besoni se nuk ka kush ta thyejë më këtë super-rekord?

Synimi im kryesor është që të vazhdoj të rrit nivelin tim si lojtare. Rekordet janë bërë për t’u thyer, kështu që nuk do më vinte keq fare ngaqë dikush tjetër do të realizonte më shumë.

A keni oferta edhe jashtë Shqipërisë dhe çfarë raporti keni me kombëtaren e basketbollit?

Mendoj se ofertat do të vërshojnë drejt meje pas këtij rekordi. Me kombëtaren e Shqipërisë nuk jam, por pres të më thërrasin.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here