Rekordi dhe urimi i veçantë, Kualjarela: Dridhem vetëm kur dëgjoj emrin e Batistutës!

Fabio Kualjarela është njeriu i momentit në Serie A. Sulmuesi i Sampdorias shënoi një dygolësh në fitoren 4-0 kundër Udinezes, ndërsa ekipi dorian është vetëm dy pikë larg zonës Champions. Ai është ngjitur në krye të renditjes së golashënuesve me 16 gola duke lënë pas Ronaldon, Zapatën dhe Piatek.

36-vjeçari (i mbush të premten) shënoi gol për të 11-ën ndeshje rresht në kampionat duke barazuar rekordin e vendosur përpara 24 vitesh nga një “kanibal” goli si Gabriel Batistuta. Batigol shënonte në 11-të ndeshjet e para të sezonit 1994/1995 me Fiorentinën dhe e mbyllte sezonin me 26 gola të shënuar.

Kualjarela është shfaqur i emocionuar pas ndeshjes dhe ka thënë fjalët e para pas rekordit të barazuar. Krenari dhe modesti, por kapiteni i Sampdorias nuk e beson akoma se çfarë ka bërë. Njerëzit dëshirojnë që ai të rikthehet në kombëtaren e Mançinit dhe lojtari ka një përgjigje të bukur për këtë.

Ndeshja e radhës është përballë Napolit të tij në transfertë. Bomberi do të tentojë të mos ndalet dhe ta kthejë në të paharrueshme pasditen e dy shkurtit. Mjafton vetëm një gol dhe më pas të gjithë do të ëndërrojnë të barazojnë rekordin e Fabio Kualjarelës…

Është një emocion i papërshkrueshëm. Vetëm ta imagjinosh diçka të tillë të jep ndjesi të bukura. Batistuta? Dridhem vetëm kur e dëgjoj një emër të tillë… Pas golit të parë mendova vetëm të shijoja mbrëmjen me tifozët e mi. Kam mbetur pa fjalë. Të barazosh këtë rekord në moshën 36-vjeçare është krenari. E kaluara ime dhe sakrificat e mia shërbyen për diçka. Kombëtarja? Trajneri duhet të përqendrohet te të rinjtë, përndryshe nuk do të rriten kurrë. Është e drejtë e Mançinit për të bërë zgjedhjet e tij. Unë luaj futboll për t’u zbavitur dhe kënaqem njësoj si kur shënoj, ashtu dhe kur nxjerr shokët e skuadrës përpara portës”, flet Kualjarela.

Urimet për sulmuesin kanë qenë të shumta, por njëri ka qenë më i veçantë se të tjerët. “Armiqtë” e Xhenoas kanë uruar sulmuesin rival, duke zgjedhur fjalë të bukura për rekordin e tij. “Krenarë që jemi xhenoanë dhe që kemi në qytet një rival kaq të fortë sa ti. Komplimente Fabio Kualjarela”, shkruan klubi i Xhenoas në rrjetet sociale.

11 ndeshjet rresht ku Kualjarela ka shënuar
Milan
Torino
Genoa
Bologna
Lazio
Parma
Empoli
Chievo
Juventus
Fiorentina
Udinese

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *