Rekord i epokës Lotito, Lacio gati për rinovimin e dy yjeve

Lacio rezistoi gjatë verës dhe arriti të mbajë Milinkoviç-Saviç në ekip. Drejtuesit e klubit po punojnë fort dhe është gati rinovimi për dy nga yjet e skuadrës: mesfushorin serb dhe sulmuesin Imobile. Të dyve do t’u rriten rroget në 3 milionë euro dhe kjo është një risi, sepse në epokën e Lotitos, askush nuk e ka patur këtë rrogë, madje as Miroslav Klose. E nisim me radhë.

PSG ka nisur sulmin final ndaj Milinkoviç-Saviç, por menaxheri i tij, Mateja Kezhman u shpreh qartë se lojtari do të qëndrojë në Romë, ndërsa klubi refuzoi ofertën e francezëve. E pamundur për të gjendur një zëvendësues të tij këto momente dhe serbi do të qëndrojë në Romë. Lotito dhe Tare kanë gjetur marrëveshjen me lojtarin, i cili do të rinovojë deri në vitin 2023, pra një vit më shumë se kontrata aktuale që i skadon në vitin 2022. Dyfishim rroge për 23-vjeçarin, i cili do të marrë 3 milionë euro në sezon.

Lacio po punon dhe për rinovimin e kontratës së Imobiles. Drejtuesit duan të shpërblejnë sulmuesin për golat e shënuar gjatë sezonit të kaluar dhe italianin e pret një rrogë prej 3 milionë eurosh. Ata janë takuar me lojtarin dhe ia kanë shprehur vullnetin e tyre. Ky i fundit u shpreh i lumtur për vlerësimin: “Falënderoj Lotiton dhe Taren. Të rinovoj mbas më pak se një viti mbas rinovimit të fundit, është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Po presim që Tare të lirohet pak dhe do të firmosim kontratën e re”, thekson 28-vjeçari.

Lacio dëshiron të mbyllë gjithçka brenda dy javëve dhe mbasi lojtarët të kthehen nga kombëtaret respektive do të vijë dhe firma e tyre. Të dy klubet kanë marrë oferta me mbi 5 milionë euro në sezon gjatë merkatos, por ata qëndruan. Lacio nuk ka mundësi t’iu ofrojë aq shumë, por dhe klubi ka sakrifikuar për të mbajtur yjet e saj duke prekur kufirin prej 3 milionë eurosh rroga në sezon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *