Rekord dhe triumf, Golden Stejt nuk gabon as në ndeshjen e dytë

Me siguri Kleveland Kavaliers do ta mbajë mend për shumë kohë ndeshjen e parë të finaleve NBA kundër Golden Stejtit, kur JR Smith bëri atë gafë në sekondën e fundit, duke mos gjuajtur për koshin që do të vlente fitoren.

Një sukses në fushën e Golden Stejtit do të vlente gjysmë titulli, por ndoshta treni iku përfundimisht.

Golden Stejti i kishte marrë masat dhe në ndeshjen e dytë, luajtur mbrëmë, bëri gjithçka në mënyrë perfekte, kundër një Klevelandi qartësisht të demoralizuar. Rezultati final 122-103 flet vetë, që në pjesën e parë dukej qartë që kishte marrë fund.

Ishte nata e Stefën Kërit, fenomenal, me 9 kosha trepikësh, një rekord në finalet e NBA-së, pasi rekordi i mëparshëm ishte 8 trepikësha. Këri ishte perfekt, me 33 pikë dhe një paraqitje spektakolare, që ishte në linjë me gjithë skuadrën, sepse Durant shënoi 26 pikë dhe Klej Tompson shtoi 20 pikë, me 5 lojtarë që kaluan 10 pikët.

Po Kavaliers? LeBron ishte në nivelin e duhur, me 29 pikë, 14 asiste e 9 ribaunde, por vetëm Kevin Lov me 22 pikë ishte shumë pak për ta ndihmuar të udhëhiqte ekipin drejt fitores së parë në këto finale.

Është qartësisht superior Golden Stejt, por nuk ka mbaruar, sepse tani do të luhen dy ndeshje në fushën e Klevelandit dhe aty faktori LeBron bëhet vendimtar, ndaj nuk është çudi për ndeshja e pestë t’i shohë skuadrat në ekuilibër të plotë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *