Reja flet hapur në Itali: Shpresoj te kualifikimi me dënimin e Turqisë, jam habitur me Manajn

Trajneri Reja e ka fituar dashurinë e tifozëve shqiptarë, pas dy ndeshjeve fantastike që ka zhvilluar Kombëtarja së fundmi, për t’i dhënë edhe verdiktin vazhdimësisë së punës. Pra rinovimi është vetëm formal dhe pritet të vijë në ditët në vazhdim.

Sa i përket vetë trajnerit të Kombëtares, ende nuk i janë shuar shpresat nga Euro 2020, pasi pret dënimin e Turqisë. Në një intervistë për mediat italiane, Reja ka folur gjithashtu edhe për Manajn, pasi i sygjeruan se ishte një lojtar gjaknxehtë.

“Është e vështirë të bësh zgjedhje te portierët mes Strakoshës dhe Berishës. Në fund të ciklit do të bëjmë vlerësimet tona. Pas ndeshjes me Turqinë pamë atë festimin e tyre me përshëndetje ushtarake. Ishim pak të befasuar, ato gjeste duhet të censurohen dhe në vend të kësaj, ata e bëjnë prapë me Francën. Shpresoj se UEFA mund të marrë veprime kundër Turqisë dhe të na rikthejë kualifikimin në Europian. Megjithëse përtej kësaj shprese egoiste, mund t’ia kalojnë me një gjobë.

Sa i përket Manaj, më kishin thënë se ishte gjaknxehtë, por jam habitur kur e kam parë vetë. Kishte impenjim të madh dhe e bën sakrificën që i kërkon në fushë. Ka ende kohë të piqet, se është vetëm 22-vjeç. Doja që të aktivizoja sa më shumë të rinjë, e kam bërë me Kumbullën. Unë habitem sesi Italia nuk e kishte vëzhguar. Ndoshta dhe e kanë kërkuar, por zgjedhja ka përfunduar”, ka thënë Reja. /Sport Ekspres/