Reja: Do ketë ndryshime, çështja e shiritit është e zgjidhur

Edi Reja do të zhvillojë nesër në mbrëmje ndeshjen e dytë në krye të stolit të kombëtares kuqezi dhe të parën në tokën shqiptare. Përballë do të jetë Moldavia, në një përballje që duhet fituar. Gabimet e ndeshjes me Islandën janë analizuar dhe nesër do të synohet triumfi. Trajneri italian ka dalë në konferencë për shtyp, aty ku ka thënë këto fjalë.

“Na mungoi finalizimi me Islandën. Mesfusha ishte e duhura, bëmë ndeshje të bukur, ata na erdhën vetëm një herë në portë. Kemi edhe 24 orë për të vendosur. Mund të ketë 3-4 ndryshime, mesfushorët janë të lodhur goxha. Do flas me lojtarët përpara dhe t’u them se kush do të luajë. Nuk e them formacionin këtu”.

“Skema 3-5-2, i ka Shqipëria lojtarët e duhur? Po, i ka. Na duhet një ekuilibër në mbrojtje. Na duhen disa mesfushorë të mirë. Siç u pa në ndeshjen me Islandën, Hysaj bëri mirë nga e djathta”.

“Sadiku e Uzuni janë gati dhe presin shansin e tyre. Do vlerësojmë gjendjen e çdo lojtari. Sadiku është një lojtar që ka një marrëdhënie të mirë me golin. Mbrojtësit kanë bërë mirë, do ketë 3-4 ndryshime”.

“Kundërshtari? Nuk ka skuadra të lehta më në futboll. Duhet të luajmë me personalitet dhe përqendrim. Superioriteti tregohet në fushë, duke luajtur fort, duke treguar grintë”.

“Sëmundja e golave të pësuar? Në Islandë zotëruam lojën, na shënuan me një rast. Tani po fillojmë të kemi një skuadër, do shohim më tej”.

“Do luftohet për vendin e tretë? Shoh shtëpinë time, jo Turqinë dhe Francën. Kam shumë besim te skuadra ime. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Pres qe njerëzit të na mbështesin. Objektivi ynë është të bëjmë më të mirën. Ka edhe shumë ndeshje, skuadra do përmirësohet. Me rëndësi të futemi në fushë për të fituar dhe të dalim kryelartë”.

“Fitorja, detyrim, a rëndon psikologjikisht? Kemi nevojë të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të fitojmë. Nëse ndodh kjo, do ishte super në aspektin moral. Fitorja na ndihmon shumë për të vazhduar në rrugën e duhur”.

“Hera e parë si trajner kombëtareje? Është ndryshe, këtu nuk ke shumë kohë. Në vetëm një javë duhet të bësh gati një ndeshje në mënyrën perfekte. Lojtarët kanë treguar që mund ta asimilojnë shpejt mënyrën tonë të lojës. Lojtarët luajnë jashtë, në Itali, Zvicër e Kroaci. Një problem është fakti që lojtarët luajnë në kampionate të ndryshme. Gjithsesi futbolli është unik”.

“Kapiteni? Ky nuk është problem. Mavraj është kapiteni kur luan, nëse jo është Hysaj. Kjo është zgjedhja përfundimtare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *