Refuzon të flas për polemikat, Kërçiku flet si lojtar i Partizanit: Disa lojtarë të Tiranës më uruan për zgjedhjen

Pas zhurmës së madhe që bëri në merkaton e këtij muaji, Dorian Kërçiku ka vendosur që të flaës për herë të parë si lojtar i Partizanit. Mbrojtësi shqiptar u largua pak kohë më parë nga klubi i Tiranës, pas 6 vitesh e gjysmë si pjesë e tyre. Por në një kohë kur të gjithë prisnin zyrtarizimin te Bylisi, lojtari lë skuadrën ballshiote dhe i bashkohet kampionëve në fuqi në Antalia, duke u bërë kështu një temë e nxehtë diskutimi.

Ndërkohë Kërçiku ka folur këtë herë për “Top Channel”, ku tregon se ndihet mirë te skuadra e re, madje rrëfen se për këtë zgjedhje e kanë uruar edhe një pjesë e lojtarëve të Tiranës. Më tej ka folur edhe për objektivat e këtij sezoni, ndërsa në mënyrë kategorike ka refuzuar të shprehet për temën “Bylis”, që hapi aq shumë polemika këtë muaj.

“Te skuadra e re po ndihem shumë mirë dhe po ambientohem. Më shumë kohë po kaloj me Trashin, Telushin. Disa prej lojtarëve të Tiranës më kanë uruar për ekipin e ri që zgjodha. Objektivi im është që të paraqitem sa më mirë dhe të luftojmë për Kupën dhe kampionatin. Me Sormanin kam biseduar më shumë për gjendjen time fizike”, tha Kërçiku./Sport Ekspres/