Refuzime pafund deri te “PO”-ja e madhe, greku Mihaj: Ju tregoj çfarë më bindi!

Enea Mihaj tha “po” dhe emri i tij ishte në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet që Shqipëria luan me Izraelin dhe Skocinë. “Zgjodha të pranoj ftesën e Shqipërisë, pasi më pëlqen Kristian Panucci. Mënyra se si është interesuar dhe më ka tentuar disa herë me radhë pa u lodhur, më bindi. Zgjodha të vij dhe t’i bashkohem kombëtares shqiptare. Një ndër arsyet kryesore ishte dhe trajneri ynë”, tregon fillimisht qendërmbrojtësi kur pyetet pse ndryshoi mendje.

Më tej ai shton: “Unë nuk mund t’i ndryshoj gjërat. Jam lindur dhe rritur në Greqi dhe natyrisht ndihem më shumë grek. Babai dhe nëna ime kanë lindur në Shqipëri dhe për këtë arsye jam dhe shqiptar, vendi i origjinës time. Jam grek dhe shqiptar. Njësoj si të përfaqësoj Greqinë dhe Shqipërinë, për mua me rëndësi ka të luaj futboll dhe të bëj më të mirën time”.

Gjithsesi, në intervistën për “Telesport”,ai ka theksuar se nuk e ka pranuar Shqipërinë prej faktit se nuk po i shkonte një ftesë nga Greqia. “Ndikoi mënyra se si këmbënguli Shqipëria për të më marrë. Kam marrë rreth 7 ftesa nga kombëtarja kuqezi dhe më kanë kërkuar me ngulm. Nuk është se pranova ftesën se nuk më ftoi Greqia, e pranova se u binda nga dëshira e mirë për të më pasur në ekip”.

“A jam penuar? Nuk mund ta them, pasi nuk isha 100 % i bindur për ta zgjedhur. E ke parasysh kur nuk je gati për të ikur në një ekip që nuk e do dhe as ekipi nuk të do ty? Nëse shkon nuk është mirë për asnjërën palë. E njëjta gjë dhe me ekipet kombëtare, nuk isha gati dhe refuzova. E vështirë kur lindesh dhe rritesh me një kulturë tjetër, gjuhën nuk e di mirë, prandaj isha i pavendosur”.

“Raporti me tifozët? Unë do të jap maksimumin në fushë për t’i zbutur ata. Dua të bëj maksimumin dhe të jap gjithçka kam për kombëtaren shqiptare. Me punën time do t’i fitoj dhe tifozët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *