“Refik, jemi kampionë me 10 pikë para”, rrugëtimi zgjoi Tiranën nga ëndrra verore

0

Korrik 2018. Tirana luante një miqësore kundër Apolonisë. Triumfi në atë takim bëri që në kampin bardheblu të buzëqeshnin. Jo vetëm kaq, por shumëkush ëndërronte titullin kampion. Madje as që e diskutonin, të paktën nga fjalët që i thonin presidentit Refik Halili.

Gjatë pushimit të asaj ndeshjeje, në një bashkëbisedim miqësor me numrin një të klubit bardheblu, drejtori ekzekutiv Hektor Çomo, i drejtohej Halilit: “Jemi kampionë me 10 pikë para. Kemi më shumë potencial se ekipet e tjera për momentin. Asnjë nuk është më mirë se ne”.

Pas ndeshjes Ze Maria e thoshte hapur: “Një miqësore nuk mjafton”. Shumë shpejt Tirana do të zgjohej, pasi Prishtina e Mirel Josës e thyente 0-3 në “Selman Stërmasi”. Pak miqësore për bardheblutë, që e vuajtën diçka të tillë me nisjen e kampionatit.

Se çfarë ka ndodhur deri më tani janë të gjithë dëshmitarë. Gjithçka nisi me një humbje kundër Kamzës, ndërkohë që për të marrë pikët e plota duhej pritur ndeshja me Luftëtarin. Derbi u humb dhe pas atij takimi Ze Maria ishte i ikur. Mundësia e dytë për të. Fitorja me Kastriotin ishte detyrim, ndërkohë që goditje e rëndë ishte humbja e pësuar në shtëpi me Laçin. Fundi i ciklit për trajnerin Ze Maria.

Epoka Mema. Nisje me humbje, në Vlorë nisi seria e gabimeve. Të tjera gafa, derbi i humbur sërish, ndërkohë që Tirana nuk diti të ruante avantazhin në disa takime. Një ekip super në 70 minuta në Laç dhe më pas mbyllje me fitore kundër Flamurtarit.

Produkti final? 17 pikë. Dy fitore me Kastriotin, një me Luftëtarin e një tjetër me vlonjatët. Barazimet janë pesë: me Skënderbeun dy herë 1-1, ndërkohë që nga një pikë u nda me Teutën, Kamzën e Kukësin.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.