“Red Bull Skydive” çel sezonin veror në Vlorë!

0

 

Red Bull Skydive Team lartëson më tej nivelin e Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira në Preçizion, që po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, në datat 5-14 maj

 Nga Anton Cicani

Nëse flasim për aktivitete dhe evente sportive, s’mund të mos përmendim Red Bull si një nga organizuesit e atyre kategorive që nuk kanë shikueshmërinë më të madhe, por që sigurisht janë ndër më ekstremet dhe sidomos përbëjnë interes e kuriozitet për sportdashësit kudo në botë.

Prej disa vitesh, Red Bull ka organizuar edhe në Shqipëri shumë aktivitete, në mënyrë që të rrisë edhe pjesëmarrjen e masës. Nga toka, në det dhe sidomos qiell, duke qenë edhe një reklamë për rivierën shqiptare. E kështu, Red Bull Skydive Team lartëson më tej nivelin e Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira në Preçizion, që po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, në datat 5-14 maj.

Të ftuarit special Marco Waltenspiel dhe Marco Fuerst, të dy austriakë, kanë ngjyrosur qiellin me të kuqen e flamurit kombëtar dhe ngjyrën blu të flamurit të kampionatit, duke u lëshuar nga helikopteri në mbi 1500 metër lartësi, për të realizuar një shfaqje spektakolare me kostumin e tyre fluturues dhe parashutë mbi ujrat e kthjellët të qytetit të Vlorës në këtë çelje sezoni.

Marco Waltenspiel që prej vitit 2001 ka realizuar qindra shfaqje në mbarë botën dhe tregon se hedhjen e tij të parë e ka realizuar në moshën 11 vjecare, pasion ky që i vjen i trashëguar nga babai i tij. Ndërkohë, shoku i tij i ekipit, Marco Fuerst, ka qenë gjithmonë i dashuruar me ajrin, derisa në hedhjen e tij të parë e kuptoi menjëherë se skydiving do të ishte disiplina ideale për të.

Pavarësisht nëse është ditë apo natë, mbi det apo tokë, duke lëshuar flakë, tym apo valvitur flamurë gjatë shfaqjeve të tyre, Red Bull Skydive Team udhëton kudo nëpër botë duke bërë mijëra spektatorë të mbajnë frymën.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here