Realizimi i ëndrrës/ Trashi pas golit: Kisha emocione, Reja më tha…luajë si te Partizani

Një debutim magjik ishte ai i Lorenc Trashit me Kombëtaren. Trajneri Reja e fut si titullar kur askush nuk e priste ndaj Moldavisë.

Jo vetëm që e bën mirë detyrën e tij, por njëkohësisht arrin të shënojë edhe një gol të mrekullueshëm nga distanca. Menjëherë pas ndeshjes, lojtari i Partizanit ka rrëfyer për emocionet dhe mbështetjen e madhe që ka marrë nga trajneri Reja.

“Kisha shumë emocione në fillim. Por fjalët që mi tha trajneri më kanë ndihmuar shumë. Reja u shpreh se kjo do të ishte ndeshja ime dhe të isha pa frikë. Më tha si luan për Partizanin, do të luash edhe për Shqipërinë. Nuk ndryshon gjë. Realizova një ëndërr edhe të familjes që gjithmonë donin të më shihnin këtu. Goli për ta, prindërit dhe dy motrat e mia”, ka thënë Lorenc Trashi. /Sport Ekspres/