Reali pushton Mynihun, Ronaldo në histori

0
Real Madrid's Cristiano Ronaldo celebrates with teammates scoring his side's 2nd goal during the Champions League quarterfinal first leg soccer match between FC Bayern Munich and Real Madrid, in Munich, Germany, Wednesday, April 12, 2017. (AP Photo/Matthias Schrader)

Ndoshta në pushimin e ndeshjes askush nuk e priste që Reali të kryente një përmbysje madhështore, por kampionët e Europës nuk janë rastësisht klubi më i suksesshëm në kontinent dhe më i madhi në botë.

Bajerni luajti një pjesë të parë fantastike, shënoi me Vidalin, duhej të shkonte në pushim me avantazh më të thellë, por vetë Vidal shpërdoroi keqas një 11-metërsh në fundin e 45 minutave. Gjithsesi, ndoshta edhe penalltia ishte e akorduar paksa në mënyrë tepër bujare (një top përfundoi pranë krahun e Karvahalit, por mbrojtësi nuk kishte si ta evitonte përplasjen dhe prekja ishte e paqëllimshme, edhe sikur të ishte me dorë), ndaj drejtësia u vu në vend.

Në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka, sepse Reali u fut shumë më i vendosur dhe agresiv dhe menjëherë gjeti barazimin me Ronaldon, i cili kishte muaj që nuk shënonte në Champions.

Presioni madrilen u shtua ndjeshëm, duke detyruar Bajernin të mbrohej dhe të shkaktonte faulle, nga të cilat e pësoi pikërisht një spanjoll, por nga krahu i Bajernit, Havi Martinez, i cili doli me karton të kuq pas një ore lojë.

Që aty e tutje ndeshja u kthye në një monolog të Realit, që mori frenat e lojës dhe goli ishte thjesht çështje kohe. Nojeri bëri disa pritje të bukura, por në të 77-tën nuk mundi të bënte asgjë ndaj Ronaldos, i shkathët për të shfrytëzuar një kros fantastik nga Asensio. 100 gola europianë për Ronaldon, mbreti i kupave të Europës.

Deri në fund Bajerni rrezikoi të pësonte edhe golin e tretë, Ramos shënoi në pozicion jashtë loje dhe ndeshja mbeti 1-2. Hap i madh për Realin, që edhe në vizitën e fundit në Mynih triumfonte, ndërsa tashmë Bajernit i duhet një ndeshje epike në Madrid.

 

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image