Reali nuk di të përfitojë as në shtëpi, protagonist bëhet portieri që i bien lentet

Reali i Madridit hedh një hap të gabuar në La Liga, duke dalë me vetëm një pikë nga “Santiago Bernabeu” në ndeshjen kundër Betisit. Galaktikët humbin kështu shansin të dalin përpara Barcelonës në renditje, ndërsa vazhdojnë të kenë luhatje, duke mos arritur dot që të marrin dy fitore radhazi në kampionat. Asnjë gol i shënuar për të dyja ekipet në këtë përballje, megjithëse madrilenët kanë humbur një rast të pastër shënimi, me Mendy-n që nuk arrin dot të mposhtë portierin kundërshtar në një duel ballë për ballë me njëri-tjetrin.

Por një episod i veçantë ka ndodhur gjatë këtij takimi dhe ka bërë që ndeshja të ndalet për disa minuta. Shkak është bërë portieri i Betisit, Robles, që ka humbur lenten e tij të kontaktit dhe për këtë arsye i është drejtuar pankinës për të kërkuar zëvendësim. Pasi një gjë e tillë nuk ndodhi, gardiani i ekipit spanjoll hoqi dorezat e tij dhe tentoi të vendoste sërish lenten e kontaktit, por pa ia arritur dot qëllimit, duke u detyruar kështu të vazhdojë lojën pa lenten e tij./Sport Ekspres/