Reali nis punën, pasardhësi i Ronaldos është… Nejmar

Çfarë do të ishte më e papranueshme dhe më skandaloze për Barcelonën, sesa largimi i Nejmarit për te PSG duke paguar klauzolën e prishjes së kontratës? E thjeshtë, largimi i Nejmarit te Reali! Aty po, mund të plaste lufta në Barcelonë.

Me siguri këtë e ka nuhatur edhe Nejmari, që nuk është se e mori ndonjëherë parasysh idenë e transferimit në Madrid, por ndoshta Parisi është vetëm një stacion i përkohshëm.

Sipas Mundo Deportivo në Spanjë, Nejmar nuk do të qëndrojë gjatë te PSG, pasi synimi i tij madhor është transferimi te Reali. Sipas gazetës, Florentino Perez është takuar me babain e Nejmarit, për të diskutuar mbi idenë e transferimit të yllit brazilian në Bernabeu, për të zëvendësuar Kristiano Ronaldon.

Portugezi nuk ka edhe shumë vite karrierë dhe kontrata i mbaron në 2021, por ndoshta Reali do të mundohet ta shesë më herët, për të mos e humbur falas dhe në moshë kur nuk vlen më në treg.

Nejmari mund të shkojë në Madrid në vitin 2019, por edhe që verën e ardhshme, nëse PSG del sërish duarthatë në Europë këtë sezon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *