Reali i ofron stolin, Alegri: Jo, faleminderit!

Reali i Madridit vijon kërkimin për trajnerin e ri, por duket se nuk është aq e lehtë sa mendohej për të gjetur pasuesin e Zinedin Zidan. Faji është i tëri i francezit, sepse ka fituar Champions League 3 sezonet e fundit dhe më të drejtë çdo trajner që kontaktohet i bën pyetjen logjike vetes: Ç’të bëj në Madrid, ku edhe humbjen në finale do e quajnë dështim tani e tutje?

Ditët e fundit Reali ka kontaktuar edhe Maks Alegrin. E ka bërë nëpërmjet një miku të përbashkët, Adriano Galianit, me ish-drejtuesin e njohur të Milanit që ka kontaktuar Alegrin dhe i ka bërë të ditur se Florentino Perez e do për stolin e Realit, i mahnitur edhe nga fitorja mbresëlënëse e Juventusit në Madrid pak kohë më parë, ndeshje që ka kaluar në histori për penalltinë e dhënë në shtesë pro Realit, çka çoi edhe te kartoni i kuq për kapitenin Bufon.

Gjithsesi, Alegri ka thënë “Jo, faleminderit”. Është mirë në Torino, po fiton çdo trofe në Itali dhe nuk ka ndërmend të largohet pa fituar edhe Champions League, fiksimin e gjithë juventinëve. Kontrata me Juventusin përfundon në 2020, por të Juve janë të kënaqur me trajnerin e vet dhe Alegri tashmë e mendon seriozisht idenë e të transformuarit në një Aleks Ferguson, ose të paktën të qëndrojë deri sa të vijë ajo e mallkuar Champions League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *