(VIDEO) Reali është “përbindësh”, rrëmben edhe yllin e ri të Brazilit

Reali i Madridit ka në dorë xhevahirin e radhës nga Brazili: quhet Rodrigo, në janar mbushi 17 vjeç dhe është një sulmues i vërtetë, që premton shumë dhe që tani krahasohet me Nejmarin.

Debutim vjet, në moshën 16-vjeçare, shpërthimi sivjet, me 5 gola në vetëm 8 ndeshje kampionati, por mbi të gjitha me një lojë prej veterani. Fundjavën e shkuar Santosi fitoi në shtëpi 5-2 ndaj Vitorias dhe Rodrigo bëri një çmenduri: tre gola, në vetëm 9 minuta në pjesën e parë.

Sa për krahasim, Nejmari e shënoi tregolëshin e parë në moshën 18-vjeçare, pra që tani Rodrigo po tregon se po ecën një gjurmët e një emri të madh, madje duke ia kaluar.

Jo rastësisht, Reali i Madridit ka kohë që e kërkon dhe tashmë Globo Esporte në Brazil dhe më pas Marca në Spanjë raportojnë se Reali ka mbyllur gjithçka. Bëhet fjalë për rreth 45 milionë euro, por edhe shumë bonuse, me talentin që do ta kalojë në Madrid në janar 2019, kur të mbushë 18 vjeç.

E dinte edhe Barcelona, por raportohet se klubi Blaugrana ka hequr dorë për të mos u futur në ankand.

Ndërkohë, Reali ka siguruar edhe yllin tjetër të kampionatit brazilian, Vinisius Zhunior, i cili më Flamengon po mahnit Amerikën e Jugut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *