Reali “black out” total, tronditet nga Alavesh

Reali i Madridit tronditet në fushën e Alavesh në frymën e fundit. Në minutën e 95-të pas një goditje nga këndi ishte Garsia, i cili i dha fitoren Alaveshit, të cilët njëkohësisht ndajnë vendin e dytë me madrilenët në kampionatin spanjoll. Për Realin dhe Lopeteguin duket se nuk ka më justifikime, teksa bëhet e katërta ndeshje radhazi pa shënuar dhe pa arritur fitore.

Një Real që zbriste në fushë me synimin e vetëm, daljen nga kriza e rezultateve të ndeshjeve të fundit. Por fusha duket se tregoi tjetër gjë, teksa madrilenët u dukën shumë të paqartë në lojën e tyre dhe nuk arritën të konkretizonin rastet e tyre.

Pjesa e parë ishte më e mirë për të besuarit e Lopeteguit, ndërsa në fraksionin e dytë, ishin thuajse inekzistent në krijimin e rasteve. Atëherë kur të gjithë menduan një barazim të bardhë 0-0, në një goditje nga këndi, ishin vendasit e Alavesh që pak sekonda para fundit arritën të shënonin golin e fitores. Reali vijon krizën dhe paqartësinë para portës, teksa stoli i Lopeteguit duket se po fillon të lëkundet.

Më herët janë luajtur dhe dy sfida të tjera të vlefshme për javën e tetë. Eibari ka triumfuar në transfertën e vështirë të Gironës me shifrat 2-3, teksa një gol i Serxhi Enrik në minutën e 72 i dhuroi fitoren. Ndërkohë fitore dhe për Levanten e Armando Sadikut, me sulmuesin tonë që është ende i dëmtuar. Ishte një supergol i Enis Bardhit që i dha fitoren minimale Levantes në fushën e Getafes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *