Real Madrid-Bajern, mes historisë dhe përmbysjes!

0

 

Dy gjigantët e Evropës përballen mes tyre me një objektiv të vetëm, finalen e madhe në Kiev. Kampionët në fuqi të favorizuar pas suksesit 2-1 në Mynih

Kanë kaluar vetëm 6 ditë nga sfida e vajtjes në Mynih mes Bajernit dhe Realit dhe dy gjigantët e Evropës përgatiten për duelin e kthimit në “Bernabeu”. Një objektiv i përbashkët, finalja e Kievit, por rrugë të ndryshme për të shkuar deri atje. Reali vjen në këtë takim me avantazhin e akumuluar në përballjen e parë në Mynih, ku falë golave të Marselos dhe Asensios arriti të fitonte 2-1.

Realit do t’i mjaftonte çdo fitore dhe çdo barazim i mundshëm, madje dhe një humbje 0-1 për t’u takuar me historinë dhe për t’u bërë ekipi i dytë pas Juventusit që arrin tri herë radhazi në finalen e Ligës së Kampioneve. Nga ana e tij edhe Bajerni e kërkon me forcën e dëshpërimit finalen e madhe. Me faktin se do t’i duhet të ngjisë një malore të fortë në shtëpinë e Realit “Bernabeu”. Në Mynih e kanë të qartë se një gol nuk do të mjaftonte për finalen. Do të duheshin të paktën dy gola për të shpresuar “remuntada-n” dhe në Madrid nuk do të jetë e lehtë. Aq më shumë që skuadra e Hajnkes zbret e copëtuar nga mungesat e shumta e të rëndësishme.

Një në Kiev – Që në momentin e hedhjes së shortit për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, specialistët e dhanë mendimin e tyre: kush fiton duelin ndërmjet Bajernit e Realit do të jetë favoriti i madh për finalen e Kievit. Reali për momentin duket më i favorizuar, teksa më në fund “los blancos” kanë arritur të ndryshojnë historinë e “El Clásico” të Evropës. Ka “vrarë” macen e zezë, Bajernin, duke e mundur 6 herë radhazi edhe pse jo po polemika, si për shembull vitin e kaluar. Suksesi 2-1 në Mynih i jep epërsi Realit. Por në Madrid nuk duhet ta bëjnë gjumin e qetë.  Në radhë të parë, sepse përballë është Bajerni. Dhe në radhë të dytë, në çerekfinale në Champions ata shpëtuan për mrekulli përballë Juventusit. Reali fitonte 3-0 në Torino, por kualifikohej në Madrid mes shumë vuajtjesh dhe njëmijë e një polemikash për penalltinë e minutës së 93-të të kthyer në gol nga Ronaldo. Zidan ka qenë i qartë me ekipin, duke bërë apel për lojë sulmuese dhe fitore. historia në fakt i jep të drejtë Realit që ka mbërritur në gjysmëfinalen e tetë radhazi dhe që nuk humbet një takim gjysmëfinal në “Bernabeu” që nga viti 2011.

Asgjë për të humbur – Bajerni nga ana e tij mbërrin në Madrid i vetëdijshëm se duhet të shënojë minimumi dy gola për të shpresuar në një kualifikim të mundshëm. Askush nuk flet për mrekulli, sepse bavarezëve nuk i duhet një goleadë për të përmbysur Realin dhe shkuar në finale. Bavarezët nuk janë në gjendje të dëshpëruar, sepse në Mynih u mundën, por duke shpërdoruar shumë e bërë dhurata pa fund. Në “Bernabeu” do të jetë pa diskutim e vështirë. Bajerni nuk fiton në këtë stadium që nga sezoni 200-2001, kur Xhovane Elber i jepte suksesin e fundit.

Por pa dyshim që bavarezët mbërrijnë të inatosur në Madrid, me kujtimet e eliminimit të sezonit të kaluar. Bajerni mundej 1-2 në Mynih – si këtë herë – por skuadra e drejtuar nga Ançeloti fitonte 2-1 në Madrid duke e çuar takimin në shtesë. Dalja me karton të kuq e Arturo Vidal dhe dy gola shumë të diskutuar të Realit – pozicion jashtë loje – shkaktuan polemika pa fund. kiliani nuk do të jetë sonte i dëmtuar. Atij i bashkohen dhe të tjerë, Noier, Koman, Roben, Boateng, por kthehet Alaba. Të paktën Hajnkes mund të qëndrojë i qetë në të majtë, sepse ishte pikërisht zëvendësuesi i austriakut, Rafinja ai që gaboi në Mynih duke i dhuruar Realit golin e dytë. mungesën e Boateng do ta mbushë Zyle, teksa atë të Roben do ta mbushë Tiago Alkantara. Hajnkes dhe i gjithë Bajerni kanë premtuar betejë. Në fund të fundit Bajerni nuk ka çfarë humbet në këtë takim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here