Reagon FSHF: Moment emergjent reflektimi përsa i përket sigurisë në stadiume

Incidentet e ndodhura në ndeshjen e parë të sezonit mes Skënderbeut dhe Partizanit i bënë një hapje shumë të shëmtuar edicionit të ri. Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas mesnate përmes një deklarate në sajtin e saj, për dhunën në stadiumin “Skënderbeu” .

FSHF deklaron se ky është një moment reflektimi për të rishqyrtuar vendimin nëse policia e shtetit është e domosdoshme për ndeshjet e Superiores. Në anën tjetër organi drejtues i futbollit shqiptar kërkon nga klubet që të ketë më shumë kontakte mes tyre dhe tifozerisë.

Deklarata e plotë e FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim incidentin e ndodhur në Korçë gjatë ndeshjes hapëse të kampionatit.

Për çdo moment aparati drejtues ka qenë në kontakt të vazhdueshem me zyrtarët e ndeshjes për të risjelle në stabilitet situatën e agravuar mes tifozerive. Për fatin e mirë situata u rikthye në normalitetin që duhet por karshi një episodi të tillë FSHF nuk mund të qëndrojë kurrsesi indiferente. Organizimi dhe mbarëvajtja e garës mbetet prioritet absolut i saj.

Incidenti në stadiumin e Korçës duhet të jetë një moment emergjent reflektimi përsa i përket sigurisë në stadiume dhe prezencës së policisë së shtetit në to. Tensioni i prodhuar në Korçë nuk mund të përligjë në asnjë moment amendime ligjore të parakohëshme dhe që lëkundin sigurinë publike në stadiume.

Një ngjarje e tillë dëshmoi pikërisht që për një çështje të tillë kërkohet një reflektim i menjëhershëm institucional.
Nga ana tjetër FSHF kërkon të risjellë për të disatën herë në vëmendje të klubeve, rritjen e komunikimit të tyre me tifozeritë përkatëse, sensibilizimin e vazhdueshëm me grupimet e tifozerive për të garantuar më shumë stabilitet dhe për të shmangur sa më shumë momente të tilla agravuese dhe jashtë kontrollit në shkallët e stadiumit. Pjesa komunikuese me tifozeritë e tyre, është dhe duhet të mbetet një nga prioritetet e domosdoshme.

Për incidentin në Korçë gjithcka do të analizohet me detaje referuar raporteve nga zyrtarët e ndeshjes për ti kaluar më pas edhe pranë komisioneve përkatëse për shqyrtim dhe vendimarrje.
FSHF do të qendrojë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet përkatëse të rendit dhe me klubet për ti dhënë një zgjidhje garantuese këtij problemi, me gjithë barrierën ligjore që imponoi një situatë të tillë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *