Reagim i fortë i Kukësit: Po tregohet racizëm ndaj nesh, marrim masa

0

Kukësi ka reaguar përmes një postimi në faqen zyrtare të klubit ku ka raportuar situatën që ndodhet ekipi. Ashtu siç u raportua dhe pak më herët, ekipi ka papur shumë vështirësi dhe kjo është një situatë e paprecedentë. Klubi kuksian, në shenjë proteste, nuk do të jetë sot në drekën zyrtare mes dy klubeve, duke mbyllur çdo lloj komunikimi me klubin pritës.

POSTIMI I PLOTË I KLUBIT TË KUKËSIT

Pas një udhëtimi të gjatë dhe rraskapitës drejt Gjeorgjisë, mes shumë të tjerash janë krijuar dhe pengesa nga autoritet gjeorgjiane. Në mëngjesin e sotëm ekipi është akomoduar në hotelin Radison Blue. Klubi i Torpedos si organizator dhe mikpritës i takimit vazhdon të jetë mospërfillës dhe të krijojë pengesa në mënyrë që të mos bashkëpunojë me Kukësin, duke mos përmbushur kushtet minimale te aktivitetit të një rangu Europian. Problemi më shqetësues për ne si klub vazhdon të jetë mos pajisja me viza të lojtareve tanë, të Valon Ethemit, Edis Maliqit si dhe Reginaldo Fait, edhe pse aplikimi është bërë në kohë, duke na u premtuar edhe nga autoritetet gjeorgjianë për pajisjen me vizë të tyre.

Aktualisht tre lojtarë ngelen pa udhëtuar për në Tbilis.

Portieri jone, Faton Maloku pasi ka qëndruar për rreth 7 orë në aeroportin e Tbilisit, i shoqëruar nga drejtori sportiv Nderim Nexhipi, ka arritur më në fund që rreth orës 11:00 (me orën e Gjeorgjisë ) te behet i mundur kalimi i tij.

Kontakti i parë me tokën gjeorgjianë nuk ishte aspak mikpritës dhe miqësor, përveç problemeve me Malokun, ekipit tonë nuk i është bërë pritja nga zyrtarët e klubit vendas dhe eskorta e policisë, edhe pse ishte kusht që çdo lëvizje e delegacionit të Kukësit bashke me ekipin të jetë i shoqëruar nga autoritet gjeorgjiane. Ne si klub bashkë me presidentin, Safet Gjici, dënojmë këtë indiferencë të ekipit vendas i cili po bën çdo veprim me qellim lodhjen e ekipit te Kukësit dhe stafit te tij.

Kjo sjellje nuk i shërben aspak lojës “Fair-Play”, duke e detyruar Klubin e Kukësit të ndërpresë çdo lloj komunikimi me këtë klub. Madje në shenjë proteste nuk do te marrim pjesë as në dreken zyrtare që organizon klubi vendas, duke vënë kështu në dijeni instancat e UEFA-s si dhe delegatin e ndeshjes.

Klubi ynë ka hartuar një serë masash për të mirëpritur ekipin e Torpedo Kutaisit si mik, por duke parë mikpritjen që është ofruar nga ana e tyre na kanë lëkundur besimin se këta e meritojnë vlerësimin dhe respektin tonë. Mes nesh kemi dhe një lojtar gjeorgjian, Irakli Dzaria, që është modeli i një futbollisti të mirëfilltë, që mund t’iu tregojë mirë bashkëpatriotëve të tij se si ne i presim miqtë.

Klubi Kukësit si pjesëmarrës në UEFA Champions League, nuk mund të sillet si Klubi i Torpedos, por do te zbatojë me rigorozitet rregulloren dhe plotësimin e kërkesave te tyre. Nuk është pak të thuhet që ndaj nesh po tregohet racizëm, që është elementi i parë i dënueshëm nga UEFA.

Urojmë që ky kaluar mundimesh të shërbeje si një shtysë më e madhe për ne, për të luajtur fort dhe për t’u larguar me dinjitet nga Gjeorgjia. Një rast i tillë është i pa përjetuar ndonjëherë nga ana jonë edhe pse ne kemi luajtur me shumë Republika të tjera ish-komuniste. I bëjmë me dije autoriteteve përkatëse në Shqipëri që të marrin parasysh vështirësitë që po na krijohen nga shteti Gjeorgjian, në mënyrë që të marrin masat përkatëse!

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.