Rama: Masakër e arbitrit, gjithçka e planifikuar

Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, doli në vend të Klevis Dalipit në ekranin e Supersportit, për të protestuar për një gjykim që sipas Partizanit ishte skandaloz dhe qëllimisht ndëshkoi të kuqtë.

“Dal sërish unë, sepse ashtu si thashë të premten, po manipulohet kampionati. Sot pamë se si u shtrembërua rezultati. Djemtë e Partizanit bënë një ndeshje shembullore, kishim mungesa të rëndësishme për dëmtim e kartonë, që po e shohim si na jepen çdo ndeshje. lojtarët që i zëvendësuan treguan që janë në lartësinë e kampionatit tonë. Çulum luajti një ndeshje të shkëlqyer, është një djalë shembullor dhe shumë korrekt, ndërsa mori dy kartonë të verdhë. Shihni pamjet, asnjë nga faullet e Çulumit nuk ishte për karton të verdhë, Kukësi kreu 15 faulle të tilla.

“Arbitrim i qëllimshëm? Faktet flasin vetë, duket qartë që duan ta pengojnë Partizanin të ngjitet lart.

Në pushim shkova në dhomat e zhveshjes dhe u thashë lojtarëve të ruanin qetësinë dhe të mos krijonin asnjë përplasje me arbitrin.

“A i mungon qetësia Partizanit? Nuk mund të lejojmë që të vihemi në lojë nga disa njerëz të papërgjegjshëm. Unë jam shumë i kënaqur nga lojtarët, ata stërviten mirë, por kur zbresin në fushë nuk janë të qetë me këto që u bëjnë arbitrave. Gjithsesi, ne do të tregohemi më të fortë se kartonët e kuq, golat e anuluar apo penalltitë kundër nesh.

“A po përdoren si alibi arbitrat? Trashi ka gabuar në mesjavë, nuk po ia bëjmë askujt të lehtë, por a e patë Elis Bakajn në ndeshjen e kaluar në kupë? Ka video ku Bakaj shan arbitrin, ky i fundit nuk e ndëshkon dhe komisioni i Disiplinës e injoron si rast. Po të mungonte edhe Bakaj sot, do ishte standard i njëjtë. Nuk ka problem se doli Çulum, por se nuk dalin kartonë edhe për kundërshtarët, shihni ndeshjen e sotme.

“Objektivi? Mbetet Europa, ndaj keqardhja është e madhe dhe dal unë që të mbroj interesant e klubit, sepse me një fitore sot shkonim të tretët, që do të thotë Europa League.

“Tifozët të pakënaqur me klubin? Nuk ekziston asnjë hendek mes tifozëve e klubit. Ne po bëjmë përpjekje maksimale që t’i kthejmë tifozët në stadium. Unë pyes sërish: Ku është Federata? Ajo nuk mbron interesat e tifozëve, të klubeve, të kompeticionit që organizon ajo vetë. Stadiumet bosh kudo i bëjnë keq futbollit, jo Partizanit në veçanti”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *