Rajan Gigs kërcënon kuqezinjtë: Në Shqipëri për fitore

Uellsi i drejtuar nga Rajan Gigs do të jetë kundërshtari i radhës i Shqipërisë. Pas zhgënjimit në Ligën e Kombeve, kuqezinjtë do të provojnë të ndryshojnë paraqitjet dhe ecurinë me trajnerin Panuçi, edhe pse misioni nuk do të jetë aspak i lehtë.

Këtë e konfirmoi ish-ylli i Mançester Junajtid, që zbuloi ambiciet për ndeshjen e kësaj të marte në “Elbasan Arena”. Trajneri i Uellsit deklaroi: “Kemi ardhur në Shqipëri për të fituar. Kam mundësi të provoj edhe disa lojtarë të rinj në këtë miqësore dhe do ta shfrytëzoj këtë mundësi”.

“Shqipëria është një skuadër mjaft solide dhe këtë e pashë edhe në ndeshjen ndaj Skocisë. Për 22 minuta lojë, të dyja ekipet kishin mundësi të shënonin, por Shqipërisë i mungoi fati, pasi pësoi dhe mbeti në inferioritet numerik. Pres që kundërshtarët tanë të reagojnë dhe të kërkojnë të japin më të mirën kundër nesh”.

Gigs foli edhe rreth pakënqësisë së tifozëve të Realit të Madridit, të cilët nuk donin që Garet Bejl të luante në miqësoren ndaj Shqipërisë: “Nuk na shqetëson zemërimi që kanë në Madrid. Bejl është në duar të sigurta. Ai dëshiron gjithmonë të luajë për vendin e tij dhe donte të ishte në këtë ndeshje speciale të Kris Gunter, i cili me 93 ndeshje do të vendosë rekordin, si lojtari me më tepër përfaqësime me Uellsin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *