Raiola skandaloz: Guardiola, një qen që vlen zero

“Si trajner është fantastik, por si person është zero. Një frikacak, një qen, një prift klasik: bëj si them unë, por jo si bëj unë”. Mino Raiola kthehet të sulmojë Pep Guardiolën dhe e bën me një fjalor shumë të ulët. Marrëdhëniet mes tyre janë prishur që nga koha kur Pep drejtonte Barcelonën dhe largoi nga skuadra Zllatan Ibrahimoviçin. “I tha Ibras të shkonte tek ai, nëse kishte probleme apo ankesa – thotë Raiola për revistën holandeze Quote – por më pas e injoroi totalisht dhe nuk e aktivizonte. As e përshëndeti fare, kur Ibra u largua nga Barcelona. Ashtu bëri edhe me Maksuellin, që është një djalë i shkëlqyer. Çfarë bëra? I thashë Zllatanit që të shkonte e ta parkonte Ferrarin në vendin e trajnerit”.

Raiola tregon edhe një anekdotë në lidhje me finalen e Champions League mes Barcelonës dhe Mançester Junajtid: “Shkova ta kërkoj në dhomat e zhveshjes në Wembley, por më ndali Galiani, për fatin e Guardiolës”.

POGBA – Në lidhje me kthimin e Pogbasë në Mançester, Raiola shton: “Pol ishte një futbollist ekonomik, sepse në kontratën e tij me Juventusin ekzistonte një klauzolë falë së cilës ai ishte i autorizuar të vendoste vetë ku do të luante. Nuk i çoj çmimet matanë një kufiri. Junajtid shpenzoi 100 milionë sterlina, por mendoj se do duhej të paguante 200. Aq mund t’i ofronte Reali, por vendosi vetë Pogba dhe Mançester Junajtid shpëtoi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *