Raiola merr një goditje të rëndë, Lukaku e braktis për reperin e famshëm amerikan

Mino Raiola merr një goditje tjetër, pas divorcit me Henrik Mkitarjan, sepse tashmë nuk është më prokuratori i Romelu Lukakut. Ylli i Belgjikës dhe i Mançester Junajtid ka vendosur të lërë agjentin e njohur italo-holandez, duke firmosur me agjencinë Roc Nation Sports, që është pronë e reperit të famshëm amerikan Jay-Z.

Jay-Z është bashkëshorti i këngëtares së njohur Beyonce dhe ka vite që është kthyer në një biznesmen mjaft të zotin, që investon nga muzika deri te sporti, duke përfaqësuar shumë sportistë në NFL e NBA, por tashmë është futur edhe te futbolli, sepse përfaqëson edhe ish-yllin e Milanit Kevin-Prins Boateng, i cili tani luan te Frankfurti.

Për Mino Raiolën është një moment i vështirë, sepse mediat në Angli flasin për marrëdhënie të acaruara mes Raiolës dhe Pol Pogbasë, me francezin që është i zemëruar me menaxhimin që i është bërë karrierës së tij dhe transferimit në Mançester, ku nuk ka funksionuar asgjë për të. Nëse e lë edhe Pogba, Raiola dobësohet ndjeshëm në arenën botërore dhe i mbeten vetëm Donaruma, Verrati, Baloteli e Ibrahimoviç si emrat më të rëndësishëm që përfaqëson.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *