Raiola: Kombëtarja italiane në kaos, për çfarë duhet Bufon?

Në një intervistë për emisionin “Tutti convocati” në Radio 24, agjenti i famshëm Mino Raiola ka folur për gjithçka, duke nisur nga cikli i ri i kombëtares italiane e deri te e ardhmja e Xhixhio Donarumës. Si gjithnjë, “peshkaqeni” i merkatos së futbollit krijon debate me deklaratat e tij: “Na vjen keq që Baloteli nuk është grumbulluar, na vjen edhe më shumë keq për shpjegimin që Di Biaxhio e dha publikisht, sepse ne nuk na ka telefonuar për ndonjë shpjegim. Nëse Di Biaxhio thotë që shifrat nuk kanë vlerë, atëherë për Marion Kombëtarja është e mbyllur. E respektojmë trajnerin e kombëtares, por problemi është sistemi i futbollit. Për të grumbulluar Balotelin duhet një person me karakter: nuk e kishte Ventura, që ishte në konfuzion total. Edhe Di Biaxhio po tregon të njëjtën gjë. Kombëtarja duhet të grumbullojë më të mirët, por ata nuk po merren në konsideratë. Dhe askush të mos vijë e të më flasë për çështje e probleme në dhomat e zhveshjes: sulmuesi është i vetmi lojtar të cilit i mjafton të shënojë. Nëse në skuadër nuk e duan, le ta thonë hapur, cilët lojtarë nuk e duan. Kush komandon, trajneri apo skuadra. Problemi është se çfarë dëshiron të bëjë Kombëtarja, nuk kemi një program sportiv, thjesht ndërrojmë trajnerin, nuk kemi identitet. Unë do kisha zgjedhur fillimisht drejtorin sportiv. Kur nuk kemi sukses, fajin e kanë të huajt, por pastaj nuk ndryshojmë asgjë. Kur gjërat ecin mbarë, i harrojmë gjithë problemet”.

DONARUMA – Nga Baloteli, te Donaruma, edhe ai klient i Raiolës, i cili sërish polemizon: “Është grumbulluar Bufon? Do doja Donarumën në portë, por me sa duket Bufon dëshiron të luajë edhe në Europian. Është grumbulluar me arsyetime që nuk janë bërë për Balotelin dhe më vjen keq, sepse ngjan thuajse si diskriminim. Ne nuk kemi një plan teknik, thjesht kërkojmë një trajner që të hartojë një plan për të dalë nga kjo klrizë.l Jam i habitur nga zgjedhja e Bufonit, të cilin e dua shumë, por Italia është e tillë, nuk kam ç’të them. Kemi 10-15 vjet që kërkoj ndryshim, por pa sukses. Ia japim Kombëtaren Venturës dhe më pas Di Biaxhios, që nuk kanë bërë asgjë në nivele të larta, por tani të presim rezultatet. Nëse fiton Di Biaxhio, ka të drejtë, sepse në Itali vetëm fitorja vlen dhe për mua kjo është e gabuar. Nëse grumbullojmë Bufonin tani, do të duhet ta marrim edhe në Europianin e ardhshëm, është e qartë. Ku do ta shohim Donarumën në të ardhmen? Vetëm te Milani, jo në kombëtare, sepse nëse nis një cikël i ri me Bufon, atëherë ai do të vazhdojë deri në Europian, përndryshe grumbullohet kot”. Ndërkohë Milani ka siguruar Reinan për sezonin e ardhshëm: “Kush do luajë te Milani vitin e ardhshëm? Shpresoj Reina”, mbyll me ironi Raiola.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *