Rafinja zyrtarisht tek Interi, pas tij synohet Starixh

Mesfushori i Barcelonës është zyrtarisht zikaltër, shifra të rëndësishme për ta blerë përfundimisht. Merkatoja zikaltër nuk ndalet me kaq Pas Lisandro Lopez vjen edhe Rafinja: ashtu siç pritej, mesfushori brazilian zbarkoi në aeroportin e Linates mbrëmë, para ndeshjes kundër Romës. Interi e mbylli operacionin me Barcelonën duke gjetur marrëveshjen për formulën e huazimit me të drejtë blerjeje përfundimtare të fiksuar në 35 milionë euro, të cilave u shtohen edhe 3 bonus, ndërsa për lojtarin është gati një kontratë për tre vite e gjysmë. Mbaroi me kaq? Jo, sepse drejtuesit zikaltër po punojnë për të blerë edhe sulmuesin anglez Daniel Starixh, i cili ka pranuar ofertën dhe mbetet për t’u arritur marrëveshja me Liverpulin.

Auzilio: “Nuk ishte e lehtë”

Drejtori sportiv i Interit, Piero Auzilio, ka treguar fazat finale të operacionit me spanjollët: “Ishte e vështirë, sepse Barcelona nuk dëshironte ta shiste, por vetëm ta huazonte. Megjithatë, ne jemi Interi, nuk mund të punojmë për të tjerët. Këmbëngulëm për të drejtën e një opsioni për blerje përfundimtare. Na pëlqen të punojmë për lojtarë që mund të jenë të Interit edhe në të ardhmen, përndryshe nuk na interesojnë”. Në lidhje me operacionet e ardhshme: “Merkatoja është e paparashikueshme, mund edhe të qëndrojmë kështu si jemi. Asnjë lojtar nuk ka kërkuar që të largohet”.

Historia e transferimit

Interi u përqendrua totalisht te mesfushori i Barcelonës, me të cilin e gjeti shpejt marrëveshjen. Nyja e historisë ishte gjithnjë shifra e transferimit final, me Interin që synonte 20 milionë plus 3 bonus. Barcelona e refuzoi këtë ofertë, pasi e vlerëson shumë Rafinjën, përtej faktit që fizikisht është shumë larg maksimumit të vet, për shkak të një dëmtimi të rëndë. Megjithatë, Interi rriti ofertën, fillimisht 30 plus bonus dhe më pas 35 milionë euro fikse. Në fund, Barça arriti atë që dëshironte, 35 milionë plus 3 bonus, nëse Interi do të dojë ta blejë përfundimisht 24-vjeçarin e kombëtares braziliane, i cili nuk luante futboll prej muajit prill, për një dëmtim të rëndë.

Ku do luajë Rafinja?

Nuk është e lehtë t’i gjesh një vend Rafinjës në Interin aktual. Braziliani është sinonim i fantazisë, ndaj mund të përshtatet në shumë role dhe module. Roli që ka mbuluar më shpesh ish-mesfushori i Barcelonës është si qendror në mesfushë, rol që aktualisht tek Interi e mbulon Borha Valero, edhe pse Rafinja është më ofensiv. Spaleti, i cili e ka kërkuar me ngulm, mund ta përdorë edhe në të djathtë të sulmit, në vend të Kandrevës. Në rast nevoje mund të luajë edhe në të majtë, siç ka bërë në disa raste te Barcelona, ndërsa me teknikën që ka, Rafinja mund të luajë edhe para mbrojtjes, në vend të Galiardinit apo Vesinos, lojtarë që nuk kanë fantazinë e tij në ndërtimin e lojës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *