Radas: E papranueshme të pësojmë gol si ai i Kamzës

Shënoi një gol shumë të zgjuar, por që ekipi i tij nuk mundi ta mbante avantazhin dhe në fund u detyrua të kënaqej me barazimin. Pas ndeshjes, Marko Radas u shpreh: “Një barazim, që nuk na vjen për shtat, sepse luanim në fushën tonë dhe duhej të merrnim pikët e plota nga ky takim. Megjithatë, nuk arritëm të merrnim atë që donim. Bëmë një gabim amatoresk te goli i pësuar, por duhet të na bëhet mësim. Patëm rastet tona për të bërë më të mirën e mundshme, por nuk duhet ta lejojmë ndeshjen të vijojë pa e mbyllur rezultatin. Goli i dytë ishte shumë i nevojshëm për të krijuar qetësinë.

“Të them të drejtën, te goli i shënuar pashë portierin që ishte shumë i zhvendosur në shtyllën e dytë dhe në vijën e pesëmetërshit dhe provova të godas portën. Për fat shkoi gjithçka mirë. Më pas u ndëshkuam nga ai gabim fatal. Një top që vjen nga 50 metra thellësi nuk është e pranueshme të kalojë ashtu në zonën tonë dhe për këtë mund të them që jemi vendosur gabim i gjithë reparti i prapavijës. Janë gabime, që të kushtojnë shumë, por duhet të mësojmë prej tyre. Diferenca është ende ajo që është dhe duhet të shohim përpara për të bërë më të mirën tonë. Kampionati është ende i gjatë dhe jemi në krye. Duhet të mësojmë nga të tilla gabime që na bëjnë më të fortë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *