Quhet tradhëtar, babai i Mollës: Isha unë që nuk refuzova, krenohuni që luan në Botëror me Italinë

Marko Molla ishte një prej futbollistëve të rinjë shqiptarë që zgjodhi të përfaqësonte një tjetër Kombëtare. Bëhet fjalë për portierin e të rinjëve të Bolonjës, njëkohësisht edhe i U-17 të Italisë.

Me “axurrët” do të luajë në Botëror dhe është nisur drejt Brazilit. Ndërkohë babai i tij, Besnik Molla, ka reaguar lidhur me etiketimet e ndryshme që vijnë nga njerëzit dhe mediat. Fjala “tradhëtar” është hasur shpesh për djalin e tij, por Besnik Molla shprehet se shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një pjestar të tyre në Kupën e Botës, megjithëse me një fanellë tjetër.

Sigurisht që hapësirat te Kombëtarja A do të ishin të pakëta edhe me rritjen e tij, duke parë që te Shqipëria ka një mbipopullim të portierëve cilësorë dhe është i vetmi drejtim ku në vitet e fundit nuk kemi vuajtur. Ndërkohë në reagimin e plotë, babai i Mollës tregon sesi nuk ka refuzuar kërkesën e Italisë për ta marrë këtë portier, teksa në një grumbullim nuk ishte ftuar te Shqipëria.

“Jemi shqiptarë dhe jemi krenarë që jemi shqiptarë. Marco Molla nuk e mohoi kurrë Shqipërinë. Dua të sqaroj këta që flasin pa asnjë dijeni se përse u larguam nga Kombëtarja Kuq e Zi. Marco Mollës nuk i erdhi asnjë ftesë nga kuqezinjtë. Të gjithë shokët e Kombëtares ishin bashkuar në Durrës dhe Marcos nuk i erdhi asnjë ftesë zyrtare. Na ra shumë e papritur dhe Marco u mërzit jashtë mase dhe më tha: Babi, merri në telefon! Jo, i thashë Marco, nuk mundem t’i marr se nuk je ti ndoshta në lartësinë e duhur për t’u thirrur në Kombëtare.

Kjo sepse Marco kishte pësuar një dëmtim të vogël në dorë dhe ne thamë që mundet të ishte ai shkaku i mosthirrjes së tij në Kombëtare. Ndërkohë më pas mora një telofonatë nga stafi i Kombëtares dhe më pytën pse nuk është paraqitur Marco në grumbullim në Durrës dhe ju thashë që ne nuk kemi asnjë ftesë nga ju!!! Pikërisht në këto momente na erdhi një telefonatë nga trajneri i portierëve të Kombëtares italiane dhe më kërkoi takim. Unë nuk refuzova.

Më tha që Marco është në lartësinë për të qenë pjesë e Kombëtares italiane. Dhe isha, unë babai i Marcos, që nuk refuzova kërkesën e Italisë. Ne nuk “u vodhëm” as nuk “u tradhëtuam”!!!Jemi Kuq e Zi . Shqipëria duhet të jetë krenare dhe të mburret që një shqiptar do luajë në Kupën e Botës”, ka thënë babai i Mollës. /Sport Ekspres/