Quhet merkato e shkurtit/ U përfolën edhe mashtrimet! Jo vetëm Barcelona, një tjetër transferim në Spanjë

Gjithmonë jemi mësuar që të shohim merkaton e lojtarëve në verë dhe në dimër, ndërsa kjo e fundit, mbyllej për pjesën më të madhe të vendeve në Europë në datën e fundit të janarit. Por në Spanjë kanë nisur në këtë sezon një tjetër merkato, atë të shkurtit.

Ekipet që kanë lojtarë të dëmtuar kërkojnë leje nga Federata dhe pasi marrin përgjigjen pozitive, hidhen në treg për të synuar një futbollist. Ndërsa skuadra që i blihet lojtari, nuk ka të drejtë për ta zëvendësuar atë.

Një rast të tillë e vuan Leganes, që ka lëshuar Braithëate drejt Barcelonës, por nuk mund të blejë një tjetër sulmues. Ndërsa “Marca” ka ngritur me të drejtë një shqetësim për këtë mënyrë të pakuptimtë të të bërit merkato jashtë transferimeve dhe afatit zyrtar.

Kur Barcelona e dinte fare mirë gjendjen e problemeve që kishte në sulm që në janar, kur ishte ende në kohë, Setien dhe presidenca e klubit zgjodhën që të rrezikojnë, duke u shprehur se do ia dalin deri në fund me organikën e tyre.

Por me dëmtimin e një lojtari, futen sërish në treg dhe në këtë mënyrë nuk vuajnë pasojat e një gabimi të bërë në zgjedhje. E megjithatë nuk është vetëm Barcelona që ka zyrtarizuar sot një afrim. Gjithashtu edhe Rayo Vallecano ka marrë një sulmues nga Osasuna. Bëhet fjalë për Juan Villar, i cili ka shkuar te Vallecano si huazim deri në fund të sezonit me të drejtë blerje.  Kjo lëvizje erdhi pasi Leonardo Ulloa ka pësuar një dëmtim serioz dhe Vallecano kërkoi një tjetër afrim në ekip.

Gjithashtu tani ekziston edhe precendenti i një klani mashtrimi që mund të ndërtohet, ku nëpërmjet klubeve dhe lojtarëve të caktuar, mund të arrihet marrëveshja që me leje mjekësore të rreme, për dëmtime serioze që janë të sajuara, ekipet të rifuten në merkato jashtë afatit të përcaktuar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *