“Qeveria na kthen përgjigje me Facebook”, Ilir Shulku: Nëse nisim në 31 maj mbyllim kampionatet

Futbolli vijon të mbetet i ndalur, ndërsa klubet janë në pritje të të momentit kur duhet të zbresin sërish në fushë, pasi për ta është e qartë që sezoni duhet të mbyllet aty dhe jo në tavolinë. Të njëjtin udhëzim e ka dhënë edhe UEFA, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, bën me dije se nëse sezoni rifillon në 31 maj do të ketë mjaftueshëm kohë për ta çuar deri në fund atë.

Në një prononcim për “Syri Tv”, Shulku, kritikon edhe mënyrën se si qeveria është sjellë me sportin në këtë situatë. Fillimisht duke e lënë në baltë botën sportive për shkak të refuzimit për t’i ndihmuar financiarisht, e më pas edhe me rrugën që ka ndjekur për të përcjellë vendimin e vetë. FSHF-ja ka dërguar kërkesë zyrtare për shtetin shqiptar, por mënyra që qeveria ka zgjedhur për të thënë “jo” ka qenë nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, që nuk është aspak etike.

“Kemi në dispozicion dhe 10 ndeshje kampionat dhe ato të Kupës dhe nëse aktiviteti rifillon më 31 maj, jemi në kohë për të përfunduar sezonin dhe të shpallim verdiktet sipas asaj që do të prodhojë fusha e lojës. Sipas UEFA-s, duhet të luhet dhe verdiktin ta japë fusha, ndaj shpresojmë që çdo gjë të vendoset nga fusha e lojës. Jemi në gjendje emergjence dhe duhet të përshtatemi me këto kushte.

Ne i kërkuam Qeverisë ndihmë për futbollin, pasi dihet që presidentët e klubeve shpenzojmë dhe janë shoqëri aksionere që ndalimi i sportit i ka prekur dhe penalizuar ata. Kemi marrë përgjigje nga Facebook dhe nëpër lajme, por do të ishte mirë që të merrnim përgjigje zyrtare. Megjithatë, ne si Federatë kemi plan rezervë, pasi nuk do t’i linim në mëshirë të fatit klubet e futbollit dhe lojtarët e trajnerët e të gjitha niveleve, nga Superioria, deri te moshat. Në paketën tonë janë përfshirë të gjithë njerëzit që merren me futbollin”, është shprehur Ilir Shkulku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/