Qetësi në Shkodër, Vllaznia mes stërvitjes dhe aludimeve

0

Kuqeblutë vijojnë përgatitjet në “Reshit Rusi” dhe deri më tani nuk ka asnjë zhvillim. Merkato në hyrje ende nuk ka nisur, ndërkohë që sytë janë nga Edon Hasani

Gaspër Marku

 

Futbollistët shkodranë të enjten i janë rikthyer procesit stërvitor, pasi një ditë më parë, të mërkurën, stafi e ka lënë pushim skuadrën. Pushimi ka ardhur i rekomanduar nga ana e stafit mjekësor, për t’i dhënë mundësi futbollistëve që në këto ditë të nxehta të mos marrin ngarkesa të mëdha, aq më tepër kur ata vijnë pas një periudhe të gjatë pa stërvitje. E mërkura i ka ardhur në ndihmë stafit mjekësor të përfundojë edhe procesin e analizave, përfshirë edhe kontrollin e peshës si dhe elemente të tjera të nevojshme për çdo fillim faze përgatitore. Seanca e së enjtes ka vijuar me të njëjtin kontingjent futbollistësh si ditët e mëparshme. Gjatë këtyre ditëve ekipi nuk po punon vetëm me anën fizike, por po aplikon edhe lojëra me topin, madje kanë filluar zhvillohen edhe ndeshje brenda grupit.

MERKATO – Edhe pse në media vazhdojnë të lakohen emra të ndryshëm, momentalisht nuk ka asgjë konkrete. Këtu nuk bën përjashtim edhe Edon Hasani, personazh i përditshëm në bisedat e komunitetit shkodran, edhe pse ai ende nuk i është bashkuar Vllaznisë. Ditët e fundit në skenë kanë dalë edhe emra të tjerë si Vucaj e Karabeci, që mund të tentohen nëse bie poshtë pista “Hasani”. Në lidhje me mbrojtësin Hektor Idrizaj, që përflitet në opinionin sportiv shkodran, gjithnjë nga burime dytësore, sepse klubi Vllaznia preferon të jete i mbyllur me median përsa i përket informacionit të merkatos, thuhet se nisur nga fakti që vjet nuk ka luajtur me korçarët, drejtuesit po mendohen mirë për këtë opsion.

MIQËSORET

Ndonëse është akoma herët dhe skuadra akoma nuk e ka përmbushur një javë të plotë stërvitore, në kampin kuqeblu kanë filluar të mendojnë edhe për ndonjë ndeshje miqësore. Burimet brenda klubit konfirmojnë se për momentin nuk pritet të ketë miqësore të mirëfillta, sepse fillimisht do ketë teste brenda kuqebluve, duke aplikuar përballje me Vllazninë “B” dhe me ekipin e të rinjve, që është në përgatitje e sipër për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve për moshat.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here