Qesharake dhe për turp/ Nuk kishte asnjë gazetar, dështon konferenca e rivalëve të Kosovës

Kosova do të ketë një përballje miqësore në ditën e nesërme ndaj Gjibraltarit. Kjo ndeshje do të shërbejë për të qenë sa më në formë për takimin e radhës ndaj Malit të Zi, që vlen për kualifikueset e Europianit.

Pavarësisht emrit të kundërshtarit modest, Shalandi e tha qartë: “Kush nuk do e marrë seriozisht, do të ketë punë me mua”. Por trajneri i Kosovës duhet ta nisë që me gazetarët. Megjithëse këta të fundit duhet të jenë të parët që të japin mesazhe se ndeshja ndaj Gjibraltarit duhet vlerësuar në mënyrën e duhur, pavarësisht se janë një ekip modest, kjo nuk ka ndodhur.

Madje nuk duhet t’i shkojmë shumë larg. Sipas asaj që raporton “Indeksionline”, një rast i paprecedent ka ndodhur në ditën e sotme. Kombëtarja e Gjibraltarit kishte organizuar një konferencë për media, por që ka dështuar. Arsyeja? Nuk kishte asnjë gazetar të vetëm të pranishëm në sallën e mediave. Mesa duket edhe gazetarët e kanë kthyer si qesharake këtë përballje, megjithëse nuk duhet trajtuar aspak në këtë formë, cilido qoftë emri i kundërshtarit dhe është mungesë respekti. /Sport Ekspres/