“Qava si një fëmijë”, trajneri i Shqipërisë tregon mesazhin që e emocionoi: Ishte me këngën e Danieles në sfond

Italia është shteti më i prekur sa i përket Koronavirusit në Europë, por njëkohësisht i dytë në botë për përhapjen e tij. Një gjendje alarmante dhe atje ku vetëm për futboll të luajtur nuk mund të flitet për momentin. Gjithsesi kanalet sportive kanë menduar edhe për tifozët e futbollit që gjenden të izoluar në shtëpi, duke i treguar disa nga ndeshjet më të bukura për ekipet italiane dhe vetë Kombëtaren e tyre që kanë pasur suksese.

Ndërkohë trajneri i Shqipërisë, Reja, ka treguar për “Radio Goal” një mesazh që e ka emocionuar shumë në këto kohë anormale që po jetojmë.

“Këtë mëngjes mora një mesazh nga Napoli në të cilin fituam 1-0 kundër Interit. Ishte humbja e parë e zikaltërve. Kishte një këngë të Pino Daniele në sfond. Unë kisha një goditje në zemër aty. Fillova të qaja si një fëmijë. Pashë një Marek Hamsik shumë të ri”.

Ndërkohë nuk mund të mungonte edhe shpjegimi për situatën që po ndodh në Itali: “Situata në Bergamo është me të vërtetë shumë e trishtueshme. Unë jam në kontakt me miqtë e mi dhe ata më thonë gjëra tronditëse. Nuk ka vende për të pritur të vdekurit. Nuk guxoj të mendoj se çfarë do të ndodhte nëse do të ndodhte e njëjta situatë në jug. I bëj thirrje të gjithëve që të qendrojnë në shtëpi, në jug nuk ka shumë struktura të përshtatshme për ta përballuar këtë gjendje”, tha Reja. /Sport Ekspres/