Qarri: Në Shënkoll si në 1997, jemi goditur nga të gjithë

0

Dje, në emisionin e “E hëna sportive” në RTSH, ka qenë i ftuar futbollisti dhe kapiteni i Besëlidhjes, Dritan Smajli, i cili ka akuzuar rivalët e Kamzës se në Shënkoll shkuan me gjyqtarë, madje, sipas Smajlit gjyqtari i ndeshjes është i afërm i trajnerit Ramadan Ndreu të kamzalinjve. Por, në një moment, në lidhje direkt, ka ndërhyrë presidenti i skuadrës së Kamzës, Naim Qarri, i cili ka pohuar: “Në Shënkoll, nuk u luajt futboll dhe këtë e kam deklaruar edhe pas ndeshjes. Ishte një tension i paparë dhe sa për atë që thotë Smajli, më vjen shumë keq sepse është vetë futbollist. Është skandaloze që të ndodhin në fushën time ato gjëra. Sa i përket asaj që unë kam deklaruar për dhunën, po, po e përsëris edhe sot, jam goditur nga Djala, Noka dhe nipërit e Nokës, sepse situata ishte jashtë kontrollit. Madje, keni pamjet filmike, që janë për t’i çuar në Prokurori, po këtu po ngatërrohet futbolli me politikë. Noka ka qenë kryetar Qarku në Lezhë, Djala në hipotekë, “fut hundët ” LSI-ja a po ku ta di unë! Unë kam 11 vite që hedh paratë e mia dhe nuk ka ndodhur pas 1997 një ngjarje e tillë në futboll e as s’e imagjinoj që të ndodh në fushën time ndaj një ekipi mik. Por, unë garantoj diçka, Smajlin e këdo, në ndeshjen e fundit, të vijnë në Kamzë dhe të luajnë futboll, sepse do të jetë spektakël i vërtetë. Nuk ndodh kurrë në fushën time që nipërit e mi të dhunojnë kundërshtarin, s’ka shanse. Të gjithë të jenë të bindur, Kamza ka bërë një supersezon dhe do të ngjitet në elitë”, tha fillimisht presidenti i skuadrës së Kamzës.

PËR STADIUMIN – Është hedhur ideja se sfida Kamza-Besëlidhja e javës së fundit, mund të luhet edhe në stadiumin “Selman Stërmasi”. Qarri, lidhur me vendin e zhvillimit të ndeshjes së fundit, mjaft vendimtare për të dyja skuadrat, tha: “S’ka rëndësi, kemi diskutuar që mund të luajmëm edhe në “Selman Stërmasi”. Kudo që të luhet, kam skuadrën më të mirë, madje le të luhet edhe në Durrës, unë jam i bindur që Kamza ime, do të fitojë dhe do të ngjitet në Superligë sepse e meriton”, tha në fund presidenti i Kamzës, Naim Qarri.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here