Qaka: Dua Spanjën ose Italinë, në janar iki nga Rumania

0

Skuadra spanjolle e italiane duan shqiptarin më të ri të kuqezinjve. Sampdoria është gati të paguajë 1 milionë euro

Kamer Qaka është i shitur në janar! Skuadra spanjolle e italiane duan shqiptarin më të ri të kuqezinjve. Në një intervistë për “Nettavisen”, vetë Qaka është shprehur kështu në lidhje me një transferim të tij në kampionatet më të mëdha europiane: “Kam lexuar shumë, por edhe kam folur me presidentin. Më tha që do të ishte mirë sikur të shitesha, ndonëse do të flasim pas pushimeve. Di që Braga ka bërë një ofertë konkrete. Edhe nga Suedia ka interes. Mund të iki nga ekipi shumë shpejt, ndonëse klubi e di shumë mirë që dua një kampionat të madh. Nga ajo që kam kuptuar, ekzistojnë 80 përqind mundësi që të lë skuadrën aktuale. Stili im i lojës është për Spanjën, Ligën portugeze dhe Serinë A. I pëlqej të tre kampionatet. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të pres dhe të përqendrohem në fushën e lojës”, është shprehur Qaka. Duhet thënë se CSM Poli Iashi ka bërë një biznes të shkëlqyer këtë verë, kur mori nga kampionati norvegjez Kamer Qakën, pa shpenzuar asgjë. Një blerje spektakolare, pasi mesfushori shqiptar në pak muaj është kthyer në një yll në kampionatin rumun dhe është bërë pjesë e kombëtares shqiptare, duke debutuar në Turqi.

Është vetëm 22 vjeç dhe deri këtë verë nuk njihej nga askush jashtë Norvegjisë, duke luajtur vetëm 28 ndeshje në Eliteserien dhe 36 në divizionin e dytë. Iashi e mori falas, duke pasur 75% të kartonit, ndërsa tani Qaka ka rënë në sytë e shumë klubeve dhe zyrtarët e Iashit konfirmojnë për “ProSport.ro” se CSU Krajova dhe Braga kanë shprehur interes. Mësohet së fundmi se dy klube të Serisë A janë vënë në ndjekje të Kamer Qakës dhe kanë monitoruar futbollistin edhe në ndeshjet e kampionatit rumun. Ky nuk është më një mister dhe e ka pranuar edhe vetë presidenti i klubit, i cili ka konfirmuar se në këtë çështje ishte përfshirë edhe trajneri i përfaqësueses, Kristian Panuçi, i cili ua kishte këshilluar këtyre dy ekipeve.

Sipas mediave italiane, dy ekipet në fjalë janë Sampdoria dhe Benevento. Në fakt emri i Sampdorias qarkullonte që në verë, kur përfaqësuesit e lojtarit ia kishin ofruar këtij klubi mundësinë për të firmosur me parametër zero me futbollistin, por nuk ishte arritur një akord, pasi xhenovezët nuk bindeshin nga cilësitë e tij. Me sa duket, paraqitjet e fundit, të shoqëruara edhe nga këshilla e Panuçit kanë bërë të vetën dhe klubi i Serisë A, ka ndjekur nga afër zhvillimin e mesfushorit shqiptar në këtë sezon duke menduar transferimin e tij. Skuadra tjetër është ajo e Beneventos. Ky ekip aktualisht mbyll tabelën e klasifikimit në Serinë A, ndaj nuk shihet si një zgjedhje parësore për futbollistin e përfaqësueses shqiptare.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.