Pulaku, pozitiv në testin B, FSHP-ja fshehu përgjigjen

0

Florian Behlula

 

Përgjigjja e analizës së dytë së Hysen Pulakut ka mbërritur në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, por zyrtarët e saj nuk e bënë publike as në konferencën e mbajtur pak ditë më parë. “S’kemi fshehur asgjë, por ende nuk kemi një përgjigje të testit B të Hysen Pulakut”. Kështu deklaronte para tri ditësh Elez Gjoza, presidenti i Federatës së Peshëngritjes. Por, në dokumentin e testit B antidoping të peshëngritësit Hysen Pulaku vihet re qartë se sportisti 22-vjeçar ka rezultuar pozitiv edhe në analizën e dytë. Aty shkruhet qartë që Pulaku ka përdorur substanca të ndaluara të tipit stanozolol ashtu si edhe Romela Begaj dhe Daniel Godelli. Një analizë e detajuar ose jo në përgjigjen e laboratorit të Këlnit dallohet që Hysen Pulaku ka rezultuar pozitiv. Sipas dokumentit që mban firmën e doktor Shenzer, klinika e të cilit është e akredituar nga WADA, sportisti shqiptar del se ka përdorur stanozolol, substancë me të cilën ai u kap edhe para Lojërave Olimpike “Londër 2012”. E njëjta substancë doli edhe në dy testet e nënkampiones Romela Begaj dhe në testin A të kampionit Daniel Godelli. Ky dokument ka ardhur në adresë të Federatës sonë të Peshëngritjes që më datë 14 janar të këtij viti, pra 1 ditë pasi është bërë dhe testi B për sportistin Pulaku. Madje në e-mail-in e dërguar me datë 14 janar, këshilltarja ligjore e Federatës Botërore të Peshëngritjes i kërkon sportistit shqiptar të informojë këtë Federatë nëse do të pranojë si përfundimtar testin B apo do të vazhdojë me panelin dëgjimor, nga i cili do të dalë dhe vendimi përfundimtar. Ndërkohë, edhe pse kanë kaluar 20 ditë, ende nuk është bërë publike asnjë përgjigje për peshëngritësin tjetër shqiptar Daniel Godelli, i cili iu nënshtrua testit B me datë 15 janar.

Çfarë tha presidenti Gjoza

Në një konferencë për shtyp tri ditë më parë, kreu i shtangës shqiptare mohoi të ketë ardhur përgjigjja për testin B të Pulakut. “Ne nuk u kemi fshehur mediave, në mënyrë absolute, por nuk kemi ende një përgjigje të testit B të Hysen Pulakut dhe Daniel Godellit”, tha Elez Gjoza, president i FSHP-së, i cili deklaroi se do të hedhë në gjyq Federatën Botërore të Peshëngritjes, e cila ka shkelur të gjitha rregullat në lidhje me kampionin e Botës, Daniel Godelli. “Përgjigjja e testit A të Daniel Godellit na ka ardhur neve në Federatë pas 28 ditësh, kur rregulli është brenda 21 ditëve. Ne do t’i hedhim në gjyq, se përse vjen një përgjigje 7 ditë pas rregullit. Absolutisht që ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj historie, për të nxjerrë të vërtetën”, tha më tej Gjoza, i cili u tregua optimist për të ardhmen e peshëngritjes shqiptare, ku deklaroi: “Federata e Peshëngritjes nuk është dënuar momentalisht dhe ju garantoj se nuk do të dënohet. Ne do të marrim pjesë në Europian, absolutisht në Olimpiadë, por edhe në Botëror. Dhe përsëri do të vijmë me medalje nga këto aktivitete”.
“Në përgjigjen e laboratorit të Këlnit dallohet që Hysen Pulaku ka rezultuar pozitiv. Sipas dokumentit që mban firmën e doktor Shenzer, klinika e të cilit është e akredituar nga WADA, sportisti shqiptar del se ka përdorur stanozolol, substancë me të cilën ai u kap edhe para Lojërave Olimpike “Londër 2012”. E njëjta substancë doli edhe në dy testet e nënkampiones Romela Begaj dhe në testin A të kampionit Daniel Godelli”

 

 

Stanozololi

Çfarë është substanca e ndaluar

Daniel Godelli, Romela Begaj e Hysen Pulaku, tre peshëngritësit më të suksesshëm të shtangës shqiptare për vitin 2014, kanë rezultuar pozitivë ndaj të njëjtës substancë të ndaluar në testet e anti-dopingut, stanozololit. Por çfarë është konkretisht stanozololi? Ajo është një substancë sintetike, e cila merret nëpërmjet rrugëve orale ose injektimeve në muskuj dhe në pacientët normalë përdoret kryesisht për kurimin e anemisë. Stanozololi ndihmon në rritjen e masës muskulare, shtimin e rruazave të kuqe në gjak dhe forcimin e kockave. Përdorimi i kësaj substance te njerëzit lejohet që prej vitit 1962, ndërkohë që prej vitit 1974, IOC e ka vlerësuar atë si një substancë të ndaluar nga sportistët. Me stanozolol kanë rezultuar pozitivë në të kaluarën dhe kampionë të mëdhenj si Ben Xhonson, që humbi titullin olimpik në garën e 100 metrave në Olimpiadën e Seul 1988, apo rusja Ivanova, e cila u pezullua për dy vjet në vitin 1997 dhe ju hoq medalja e argjendtë në Botërorin e Atletikës në garën e 10 mijë metrave.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image